Editoriali:Spektakli në Bruksel

  • 08 September 2018 - 17:52
Editoriali:Spektakli në Bruksel

Anulimi i takimit me homologun kosovar Hashim Thaçi, nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duket më tepër si një lojë politike, sesa një "zemërim" për shkak të kufizimit të vizitës së paralajmëruar në veriun e Kosovës. Vuçiqi e Thaçi duket se kanë krijuar raporte të "ngrohta" me njëritjetrin dhe këtë nuk e kanë fshehur as në ngjarjet e ndryshme publike. Deklarata e famshme e kreut të Republikës sonë "Ui are not problematik gajs….", e ilustron më së miri marrëdhënien e tyre, e cila nuk kishte pse të çahej, pikërisht në takimin e thirrur dje në Bruksel nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri. E vërteta duket se është ndryshe nga ajo që e plason Vuçiqi në këtë rast. Me anulimin e takimit, ai ka provuar t'i bëjë një shërbim bashkëbiseduesit të tij të bindur, i cili është nën një presion të shtuar politik e publik, për të hequr dorë nga pazaret me territorin. Ky ishte thjesht një spektakël, për të ruajtur fytyrën e Thaçit, që po ngarend të marrë Luginën, pa dhënë asgjë në këmbim! Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi ka prodhuar disa marrëveshje, por as që është afër synimit kryesor-pajtimit dhe njohjes reciproke. Me gjasë, misioni i presidentit tonë është shndërruar në një aventurë personale të tijën, kushedi me çfarë çmimi dhe për çfarë arsyesh, shumica e të cilave të çojnë vetëm në një adresë-Gjykata Speciale. Ky mund të jetë pazari i fundit i Thaçit, por njëkohësisht edhe më i rëndi për gjenerata e gjenerata. Jo rastësisht ai e përmend sa herë që i jepet rasti se do ta mbyllë karrierën politike, por një herë dëshiron ta finalizojë marrëveshjen me Serbinë. Shërbimi i fundit që pritet ta bëjë, nëse do ta lejojë populli, është më i dëmshmi i mundshëm, kuptohet për interesa tërësisht personale të presidentit kosovar, prandaj si i tillë ai duhet bllokuar. 

 

 

(Kosova Sot)