Editoriali: Gabimi fatal i despotit Thaçi

  • 10 September 2018 - 17:01
Editoriali: Gabimi fatal i despotit Thaçi

Republika e Kosovës po rezulton se vetëm formalisht i ka institucionet, e ka Gjykatën Kushtetuese, kinse "gardianin" mbrojtës të Kushtetutës, e ka Kuvendin, e ka Qeverinë, i ka pozitën dhe opozitën, e ka bile edhe Presidentin, por asnjë gjysmë fjale nuk u shpëtoi dje, edhe pse presidenti i Serbisë Vuçiq hapur shfaqi në territorin tonë sovran pretendimet e qarta territoriale. Kosova i ka edhe 60 mijë veteranë të luftës, e nëse pjesa tjetër, që anatemohet si "gjeneratë e Bllacës" nuk reagon, së paku këta që e kanë përfituar certifikatën për kontributin e tyre në luftën për liri do të duhej t'ia tregonin vendin liderit serb "milosheviqian" që kërcënon integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Por, askush nuk foli. Heshtën të gjithë në ditën që Aleksandër Vuçiqi, gjatë vizitës në njërën nga pasuritë me strategjike të Kosovës, bile ai gjeti kohë edhe të mbronte bashkëbiseduesin e tij të devotshëm, Hashim Thaçi. Kuptohet, kohën më të madhe ia dedikoi Liqenit të Ujmanit, për të cilin nuk e fshehu fare synimin pretendues territorial. Tani, ai e ka më të lehtë të ecë në trasenë e hapur paraprakisht prej Hashim Thaçit, që ia ka mësyrë Luginës së Preshevës. Është e qartë se ky pazar nënkupton jo vetëm marrje, por edhe dhënie. Bartësit e kësaj ideje të rrezikshme që mund të rikthejë konfliktet e ashpra në Kosovë e Ballkan po flasin secili në veten e parë për pretendimet territoriale, duke mos përfillur zëra të rëndësishëm si ai i kancelares gjermane, Merkel, që e ritheksoi edhe dje në Maqedoni rëndësinë që ka integriteti territorial i vendeve të rajonit. Presidenti i Kosovës po vepron si një despot i egër, pa pyetur askënd, pa marrë parasysh koston shumëvjeçare që do të rëndojë mbi gjenerata të tëra. Hapja e temës së territoreve është gabimi fatal i Thaçit, për të cilin është bërë vonë edhe pendesa, por nuk është vonë për të reaguar si popull i kërcënuar nga tkurrja e re që po përgatitet. Kësaj radhe nuk bëhet fjalë për disa mijëra hektarë, si në rastin e Maqedonisë apo të Malit të Zi, por për njërin ndër burimet kryesore të ujit. Dhe, mos të harrojmë se nëse sot luftërat bëhen për naftë, në të ardhmen do të luftohet për ujë!

 

(Kosova Sot)