Editoriali: Një vit qeverisje e turpshme

  • 11 September 2018 - 17:06
Editoriali: Një vit qeverisje e turpshme

Çdo qeveri vlerësohet në radhë të parë nga treguesit ekonomikë, pastaj nga realizimi i premtimeve elektorale që e kanë sjellë në pushtet, stabiliteti politik e social, zbatimi i ligjit dhe aftësia për t'i shtyrë përpara proceset. Nëse i kemi parasysh të gjitha këto, është e qartë se përvjetori i parë i kabinetit "Haradinaj" shënohet në frymën e dështimit, skandaleve dhe keqpërdorimeve. Një kryeministër që vendimin e parë që e merr ia shumëfishon rrogën vetes, nuk të lë shumë shpresë për ndryshime pozitive. Një kryeministër që është i gatshëm edhe fizikisht të ballafaqohet me rivalët politikë, ndërsa sa herë flet i fyen të gjithë, pa përjashtuar gazetarët, është treguesi më bindës i një ekzekutivi pa lider. Në fakt, duket se udhëheqja edhe e kësaj Qeverie, adresën e vendimmarrjes e ka në Presidencë, atje ku u ndërmor nisma aventureske për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Më pas erdhi pazari për territoret. Vendim pas vendimi, hap pas hapi, u trash dosja kriminale e këtij koalicioni qeverisës, ku pavarësisht se një parti minore e ka pozitën kryeministrore, sërish është një parti që dirigjon gjithçka-PDK-ja. Mbetja e këtij subjekti në pushtet kontaminon çdo përpjekje pozitive për të ecur përpara, prandaj edhe gjasat për përmirësime me këtë pushtet janë thuajse zero. Po të kishte një drejtësi efikase e të pavarur, disa anë- tarë Qeverie do të ishin në burg sot, bashkë me urdhërdhënësit e tyre. Nuk ka asgjë të mirë që të theksosh në këtë përvjetor dhe vlerësimin më të mirë këtyre qeveritarëve ua japin mijëra të rinj që po emigrojnë, sepse u ka humbur shpresa se do të bëhet mirë në këtë vend. Vdekja e shpresës është goditja më e rëndë për perspektivën e Kosovës. Sidoqoftë, duket se kësaj garniture mafioze në pushtet po i vjen fundi, por do të ketë rezistencë prej tyre. Gjithsesi, në këtë përvjetor nuk ka vend për mburrje, por vetëm për kritikë. Më e mira që mund të bëjë ky ekzekutiv, është të japë dorëheqje, me shpresën se mund të vijë dikush më i hairit, që të punojë për qytetarët e stërlodhur të këtij vendi. 

 

(Kosova Sot)