Editoriali: Nxitimi tronditës i një Presidenti të frikësuar

  • 13 September 2018 - 17:07
Editoriali: Nxitimi tronditës i një Presidenti të frikësuar

Në çdo veprim që bën, nuk e fsheh më drojën e madhe që e mundon. Në çdo paraqitje publike, nuk arrin ta kontrollojë përmbajtjen e fjalive që i thotë. Në secilën vizitë shfaqet gjithnjë e më kontradiktor, i paqartë. Kurrë më shumë se sot, presidenti i Kosovës nuk ka pasur një nxitim të tillë. Sa në Prishtinë, sa në Podgoricë e Shkup, vrap këtu e galop atje. Si të kishte marrë në duar stafetën e kombit, i mëshon idesë më të keqe politike aktualisht të ndryshimit të kufijve. Hashim Thaçi, përveç pjesës së errët korruptive, një piramidë miliardësh, që i mbetet detyrë një prokurorie të depolitizuar ta zbardhë, përbën kërcënim të jashtëzakonshëm për paqen dhe stabilitetin. Ky lider, që mbijeton në pushtet falë shantazheve të rivalëve, tashmë duket më i shantazhuari. Atij i ngutet, sepse koha nuk prêt dhe aktakuzat e para mund të publikohen nga Gjykata Speciale. Ish-kryeprokurori i Zvicrës, raportuesi i Këshillit të Evropës e përshkruante Thaçin si udhëheqës të një grupi mafioz në Kosovë, që shantazhuan rivalët politikë dhe kontrolluan trafiqet kriminale. Marrëveshja që e propozon presidenti kosovar mund ta vulosë fatin e tij personal, por e dërrmon territorin dhe sovranitetin e Kosovës. Dje ishte në Shkup, pardje në Podgoricë. Dje ia fali Debëlldenë Maqedonisë, pardje ia fali Çakorrin Malit të Zi. Po Serbisë, çka do t'i falë, vallë?! Nëse populli nuk do ta ndalë marrëzinë presidenciale, pasojat do të jenë shekullore për njerëzit tanë të vuajtur e të lodhur nga kjo oligarki e inkriminuar që na udhëheq që prej përfundimit të luftës.

 

(Kosova Sot)