Editoriali:'Veteranët' e krimit

  • 15 September 2018 - 17:14
Editoriali:'Veteranët' e krimit

Mijëra "veteranë" po marrin miliona euro paligjshëm nga buxheti i shtetit, edhe pse aktakuza e përpiluar nga prokurori Elez Blakaj do të shkojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Autoriteti gjyqësor duhet të vendosë me urgjencë dhe të ndalë pagesën e pensioneve të kundërligjshme. Edhe pse ndodhi procedimi i kësaj aktakuze, që i kushtoi hartuesit të saj me largim nga Kosova për shkak të kërcënimeve, me këtë sistem drejtësie vështirë se mund të ketë një verdikt sipas ligjit. Në mesin e të akuzuarve janë edhe anëtarë të Qeverisë "Haradinaj", prandaj do të duhej që ata të jepnin dorëheqje. Një gjë e tillë as që pritet të ndodhë me këtë pushtet kriminal e të korruptuar. Afera e veteranëve është më e madhja e pasluftës. Nga provat e siguruara deri më tash, sipas Prokurorisë, është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Kosovës është dëmtuar në shumë prej rreth 68 milionë eurosh. Por, edhe pse buxheti vazhdimisht dëmtohet nga vendimmarrësit me shuma të mëdha, siç ishte për shembull vendimi për pagesën 53 milionë euro shtesë për kompaninë "Bechtel-Enka", drejtësia deri tash së paku asnjëherë nuk ka dënuar ndonjë zyrtar apo politikan të profileve të larta, që janë prapa çdo vendimi korruptiv. Skandali me listat e veteranëve të luftës tashmë është i njohur për çdokënd dhe është më se e qartë se kjo skemë kriminale e fabrikimit të "veteranëve" ka pasur dy synime mafioze. Së pari, ka qenë një biznes përmes marrjes së mitës nga të interesuarit dhe së dyti, kjo ishte një mundësi për partitë e krahut të luftës për të shtuar votuesit klientelistë. Me Prokurorinë që e kemi dhe me Gjyqësorin e shantazhuar nga politika kriminale, fati i kësaj aktakuze mbetet i mjegullt, por gjithsesi ky është një sinjal se ligjit nuk mund t'i bëjë bisht askush. Megjithatë, nëse drejtësia nuk mbërrin te urdhërdhënësit e kësaj mega-afere, i tërë procesi do të jetë gjysmak dhe i zbehtë. 

 

 

(Kosova Sot)