A mund ta bindë Rusinë presidenti që kërkon ndarjen e Kosovës?

  • 17 September 2018 - 17:08
A mund ta bindë Rusinë presidenti që kërkon ndarjen e Kosovës?

Edhe java që lamë pas dhe sigurisht kjo javë, në të cilën jemi, do të dominohet nga protagonizmi i kreut të Republikës së Kosovës me propozimin e tij të rrezikshëm për të shkëmbyer territoret me Serbinë, pra me një fjalë për t'ia dhënë veriun në këmbim të marrjes së Luginës së Preshevës. Hashim Thaçi, të cilin pjesa dërrmuese e mediave e kursejnë, sepse i ka nën kontroll, thekson shpesh se përfitimi i Kosovës nëse bëhet marrëveshja, siç ai e ka diskutuar tashmë prej vjetësh me Vuçiqin, atëherë shteti ynë fiton ulësen në OKB. Por, qëllimisht, duke instrumentalizuar gazetarët e analistët e shitur, presidenti kosovar po e zhvendos vëmendjen publike nga argumentet që janë kundër tij. Anëtarësimi në OKB kalon nëpër Këshillin e Sigurimit, ku Rusia dhe Kina janë kundërshtare të pavarësisë. Le të supozojmë se Kina do të moderohet në qëndrimin e saj, por kush garanton se Rusia do ta mbështeste anë- tarësimin e një shteti të vogël në Ballkan në OKB? Moska do ta përdorte një rast të tillë për të përfituar në realizimin e qëllimeve të saja territoriale, gjeostrategjike dhe marrëveshja që e proklamon Thaçi do t'i sillte veç dëme Kosovës. Kuptohet, përfituesja e vetme do të ishte Serbia, që merr territore të pasura (Ujmani, 'Trepça') dhe siguron anëtarësimin në BE. Atëherë kujt i shërben kjo politikë e dëmshme e presidentit kosovar? Është e qartë se vetëm interesat e tij personale qëndrojnë pas tërë këtij aksioni të vetmuar në partneritet me nacionalistin serb, Aleksandër Vuçiq. Edhe sikur të kishim garanci, të cilat në fakt as që do t'i kemi ndonjëherë për anëtarësim në OKB, shkëmbimi territorial nuk do të ishte aspak një ide e mirë, por me pasoja shumë negative për Kosovën dhe rajonin. Sidoqoftë, falë arrogancës dhe injorancës së Hashim Thaçit, Serbia arriti ta rikthejë në agjendë ndarjen e Kosovës, ndërsa ky i fundit sikur është bërë lobuesi kryesor i Beogradit, edhe pse nga pozita e presidentit!


(Kosova Sot)