Editoriali: Kur Presidenti shkel Kushtetutën, ai duhet të shkarkohet!

  • 19 September 2018 - 17:07
Editoriali: Kur Presidenti shkel Kushtetutën, ai duhet të shkarkohet!

Javëve të fundit ai po flet hapur, ndërsa nuk e fsheh më faktin se në dhjetëra takime me mikun e tij Vuçiq e ka shoshitur gjerë e gjatë idenë e shkëmbimit të territoreve. Arsyet se pse e ka bërë këtë duhet t'i thotë vetë presidenti kosovar, pa harruar faktin se në mënyrë të vazhdueshme e ka shkelur Kushtetutën dhe betimin presidencial. Tash jemi në një situatë edhe më të rëndë, kur institucionet janë defunksionalizuar, sepse klientela e Thaçit është kudo, e gatshme të nxisë bllokada e kriza. Kreu i Republikës e ka ngushtuar në një alternativë të vetme arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, që është, siç e quan ai, korrigjimi i kufijve. Ndërkohë që presidenti antikushtetues nuk ka të ndalur, politika kosovare është më e përçarë se kurrë. Opozita është bërë pikë e pesë, ndërsa edhe vetë koalicioni shfaqet me ndasi në raport me dialogun. Ndryshe flet kryeministri, ndryshe zëvendësit e tij, ndryshe ministri i Jashtëm, ndryshe kryeparlamentari…Kjo është një anarki e vërtetë dhe duke qenë kështu, Thaçit duhet t'i pamundësohet ta ushtrojë më tej mandatin, sepse shkeljet që po i bën janë skandaloze. Liderët kosovarë duhet t'i thërrasin mendjes, sepse nëse do të vazhdojë ky diskurs për kufijtë, që propagandohet me të madhe nga mediet e regjimit, rreziku për tensionimin e situatës është gjithnjë e më i madh. Kosova nuk ka kurrfarë ngutie që të bëjë një marrëveshje të shpejtë e të dëmshme me Serbinë, ndërsa kjo e fundit është e detyruar ta arrijë një marrëveshje obligative me vendin tonë, të na njohë si shtet, për të ecur përpara drejt BE-së. Atëherë pse duhet dëgjuar Thaçi, të cilit i kanë mbaruar të gjitha argumentet? Në këtë moment të ndjeshëm politik, Gjykata Kushtetuese duhet të tregojë se a është shkelje e Kushtetutës kjo që e bën përditë presidenti. Nëse vazhdojnë të heshtin, atëherë le të dorëhiqen e të mos marrin paga kot! 

 

 

(Kosova Sot)