VETTING në drejtësi, VETTING në politikë

  • 20 September 2018 - 17:15
VETTING në drejtësi, VETTING në politikë
Përderisa në Shqipëri pas VETTING-ut që dha rezultate në drejtësi, po kërkohet tash një proces i ngjashëm edhe në politikë, në Kosovë, pozitë e opozitë, e kanë mbyllur gojën rreth kësaj teme. Kur është çështja te përfitimet, të gjithë rivalët janë unikë, për t'i mbrojtur paligjshmëritë e panumërta që i bëjnë sa janë në institucione, qoftë të nivelit qendror apo edhe atij lokal. Kësisoj, reforma vazhdimisht zvarritet, ndërsa sistemi shtetëror, administrata, ministritë, komunat, ambasadat, kompanitë publike, janë të mbushura me zyrtarë të inkriminuar. Pastrimi i shtetit nga të korruptuarit është i domosdoshëm, nëse duam të shpresojmë se ky vend do të bëhet i jetueshëm dhe normal. Prandaj, VETTINGu është zgjidhja e duhur, jo vetëm në drejtësi. Prokurorët dhe gjyqtarët, që nuk e justifikojnë dot pasurinë e tyre, duhet të largohen nga detyra dhe të ballafaqohen me ligjin. Kjo praktikë duhet të ndiqet edhe për politikanët. Pjesa dërrmuese e tyre, përfshirë lidershipin aktual, nuk mund ta justifikojnë pasurinë e madhe që e kanë bërë sa ishin apo sa janë në pushtet. Jeta e tyre është luksoze dhe shumë e kushtueshme, ndërsa kuptohet se milionat nuk vijnë prej bizneseve të ligjshme, por prej korrupsionit. Krijimi i mekanizmave të posaçëm, të pavarur nga politika, për të verifikuar pasuritë e politikanëve mundëson pastrimin e institucioneve nga të inkriminuarit. Ky VETTING është me shumë rëndësi, sepse, duke përjashtuar nga gara zgjedhore dhe pushteti politikanët e pasuruar në mënyrë kriminale, do të kemi një mundësi serioze për të shtyrë përpara proceset e rëndësishme. Nga ana tjetër, ky VETTING i politikës krijon modelin e ri të të bërit politikë, ku asnjë person hajn e bandit, i korruptuar dhe i kompromentuar, nuk mund të jetë më pjesë e institucioneve apo të marrë pozita drejtuese. Po të kishim Kuvend serioz, kjo reformë do të iniciohej tashmë, por me këtë përbërje parlamentare është vështirë të presësh rezultate pozitive.
(Kosova Sot)