Editoriali: Porosia e ambasadorit Delawie

  • 21 September 2018 - 17:08
Editoriali: Porosia e ambasadorit Delawie

Në mbarim të misionit të tij, ambasadori amerikan duket se më në fund e ka kuptuar se problem themelor i drejtësisë në Kosovë është ndërhyrja politike në prokurori dhe gjykata. Duke reaguar së fundmi për skandalin e veteranëve, që po mjegullohet më së shumti nga përfaqësuesit politikë, ambasadori Delawie ka pyetur se deri kur do të ketë ndikime të tilla politike. Adresimi i diplomatit të SHBA-së është i vonuar, sepse ai ka pasur kohë deri tash që ta kuptojë se në çfarë gjendje të mjerë është sistemi i drejtësisë dhe jo vetëm. Janë pikërisht politikanët që kanë ndërhyrë e ndërhyjnë rregullisht në organet e zbatimit të ligjit. Ndërhyn presidenti, ndërhyn Qeveria, ndërhyn Kuvendi, ndërhyjnë partitë, ndërhyjnë kompanitë e pushtetit… Situata në gjyqësorin kosovar është katastrofale, saqë asnjëherë nuk mund të shpresosh se do të ketë verdikt të drejtë nëse ballafaqohesh me ligjin dhe e drejta është në anën tënde. Proceset gjyqësore montohen, palët shantazhohen, kërcënohen, ndërsa vulën drejtësisë ia japin mafio-oligarkët. Ambasada amerikane është një adresë e rëndësishme për Kosovën, por gjatë mandatit të Delawisë kanë munguar kritika e thellë dhe porosia e qartë për ndërhyrjet politike në drejtësi. Asnjëherë nuk u kërkua një VETTING, ashtu siç po ndodh në Shqipëri, ku po kërkohet tash edhe VETTING-u në politikë. Kosova duhet ta bëjë këtë të fundit të parin, sepse nëse mbesin politikanët e inkriminuar në pushtet, edhe emërimet në drejtësi do të jenë të inkriminuara. Si rrjedhojë, gjyqtarë e prokurorë skandalozë do të vazhdojnë ta minojnë sundimin e ligjit. Ambasadori i ri i SHBA-së në Prishtinë do të duhej të luante një rol më aktiv, edhe kritik, për të mos i kursyer aspak politikanët që janë hapur mbi ligjin. Ai mund të ndjekë shembullin e ambasadorit amerikan Donald Lu, në Tiranë, i cili foli hapur gjithnjë për degradimin e drejtësisë dhe politikën e korruptuar. SHBA-ja, nga ana tjetër, jep edhe shumë fonde për avancimin e drejtësisë, prandaj ka arsye që të kërkojë llogari se ku po përfundojnë këto fonde, kur qytetarët vuajnë nga një sistem i keq gjyqësor.


(Kosova Sot)