Editoriali:'Gardiani' i sundimtarit apo i Kushtetutës

  • 22 September 2018 - 18:34
Editoriali:'Gardiani' i sundimtarit apo i Kushtetutës

Gjykata Kushtetuese sërish do të vihet në sprovë, por kjo është më e madhja deri tash. Vendimet e këtij institucioni suprem të drejtësisë janë të padiskutueshme dhe kanë ndikuar thellë në zhvillimet politike në Kosovë. Emrat që e përbëjnë këtë Gjykatë, megjithatë, nuk garantojnë një vendimmarrje ligjore, objektive dhe të paanshme. Në radhët e saj ka arritur të anëtarësohet edhe një gjyqtar me precedent penal, ndërsa disa të tjerë dihet publikisht se janë partiakë dhe zgjedhja e tyre në ato pozita është bërë me kompromise politike në Kuvend. Sidoqoftë, ata e kanë tashmë në duart e tyre të japin një verdikt për kërkesën e presidentit të Kosovës, i cili qartazi kërkon ta anashkalojë Kuvendin, për t'ia hapur rrugën jetësimit të çmendurisë së tij për ndryshimin e kufijve. Duhet ta potencojmë se kërkesa e Thaçit u deponua në Gjykatë, pasi në gazetën "Kosova Sot" u hap tema e kushtetutshmërisë së veprimeve antiligjore të presidentit. Nëse rishohim historikun e vendimeve të Gjykatës, ato vazhdimisht kanë qenë në përputhje me interesat e PDK-së dhe Hashim Thaçit. Por, çfarë do të ndodhë kësaj radhe? A do të arrijë një Gjykatë e kapur, si e tërë drejtësia kosovare, t'i thotë "STOP" presidentit që po lobon ngado që shkon për ndarjen e Kosovës?! Gjasat janë të pakta. Gjithsesi, edhe pse gjyqtarët që janë rehatuar në Gjykatën Kushtetuese duhet ta dinë se tërë sytë e opinionit janë drejtuar nga ata dhe përgjegjësia nuk është vetëm ligjore. Ka peshë historike vendimi i tyre në këtë moment të ndjeshëm, kur një president i shantazhuar dhe i frikësuar, i çoroditur dhe i egërsuar, dëshiron ta ndajë Republikën e t'ia japë veriun Serbisë. Gjyqtarëve që do ta vlerësojnë kërkesën presidenciale, duhet vetëm t'ua përkujtojmë edhe një herë se Kushtetuta e ndalon çdo pretendim territorial ndaj një shteti tjetër dhe ndalon çdo negociatë për territoret. Kushtetuta thotë se çdo marrëveshje ndërkombëtare ratifikohet me dy të tretat e të gjithë deputetëve të Kuvendit! Pra, despoti Thaçi nuk mund të bëjë çka të dojë, por do të jetë i detyruar të zmbrapset ose populli do ta nxjerrë nga zyra, siç nxirren diktatorët.

 

(Kosova Sot)