Editoriali: Qorrsokaku

  • 24 September 2018 - 17:03
Editoriali: Qorrsokaku

Edhe pse diplomatë të ndryshëm, herë pas here, theksojnë se lidershipi kosovar mund të jetë afër një zgjidhjeje të dobishme në raport me Serbinë, për qytetarët e Kosovës është më se e qartë, se e vërteta është ndryshe. Me këtë nivel liderësh që i kemi në pushtet, zgjidhja mund të jetë e favorshme vetëm për individët, por jo për shtetin dhe popullin. Këta politikanë, që janë në krye të Republikës, janë përgjegjës për degradimin e skajshëm që ka ndodhur gjatë dy dekadave që prej përfundimit të luftës. Edhe kur rrahin gjoks se janë meritorë për pavarësinë kjo nuk qëndron, sepse meritorë janë të rënët dhe populli që sakrifikoi e mbijetoi. Edhe ato pak merita që mund t'i kenë, komandantët e shndërruar në politikanë i kanë devalvuar me keqqeverisjen e tyre. Në mënyrë të veçantë, kjo kategori do të duhej t'i nënshtrohej një VETTING-u të mirëfilltë. Grupe mafioze kanë arritur të marrin pushtetin, të shtrijnë ndikimin në vendimmarrjen politike dhe institucionale, duke i bërë të këqija të jashtëzakonshme perspektivës së vendit. Nuk është e rastësishme që sot, shumica e të rinjve mezi presin që të emigrojnë sapo të ndodhë liberalizimi i vizave. Askush nuk e fsheh, që nuk ka shpresë në shtetin tonë, nuk ka drejtësi, nuk ka kritere, nuk ka meritokraci. Mjafton të shohësh se si flasin liderët tanë, për t'u bindur, se sa më shpejt që ikën, aq më mirë për secilin. Por, a është ikja zgjidhje? Natyrisht që jo. Megjithatë, rezistenca ndaj oligarkëve është dobësuar, edhe pse të pakënaqurit vetëm po shtohen. Sundimi është bërë i egër, ndërsa despoti kryesor po i vë në pikëpyetje edhe këto pak të arritura që kanë ndodhur. Qytetarët duhet ta kuptojnë se nuk ka të ardhme me këtë lidership të inkriminuar, që të vret natën e të qan ditën. Është koha për qytetari aktive dhe reflektim të thellë shoqëror, për të ndalur të ligën e madhe që po i kanoset Republikës dhe për të dalë nga ky qorrsokak ku na katandisën mafio-oligarkët. 

 

(Kosova Sot)