Editoriali: Donkishoti dhe Sanço Panço, nga Prishtina në Nju- Jork

  • 27 September 2018 - 17:08
Editoriali: Donkishoti dhe Sanço Panço, nga Prishtina në Nju- Jork
Pseudoshtetarët tanë që ia kanë mësyrë Nju- Jorkut, për t'u sorollatur korridoreve të OKB-së në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme, jo vetëm po shpenzojnë kot qindra mijëra euro në hotele të shtrenjta, dreka e darka luksoze, por po shkaktojnë edhe skandale diplomatike. Fatmirësisht, në këtë fatkeqësi politike tonën si popull, Kosova nuk tërheq ndonjë vëmendje mediale ndërkombëtare, sepse përndryshe këta zyrtarë, që po shëtisin në SHBA, do të na kishin shndërruar në gazin e botës. Çfarë mund të thuash tjetër, kur një ministër i Jashtëm e reklamon si takim zyrtar një shtrëngim duarsh me presidentin amerikan Trump, edhe pse kryediplomati kosovar dukshëm injorohet më keq se një qytetar i rëndomtë…Çka mund të thuhet kur një zyrtar i nivelit të lartë i ndërhyn një zyrtareje të një vendi tjetër, gjatë një deklarimi për mediet dhe shkakton sërish skandal! Kjo është vetëm maja e ajsbergut, sepse të tilla skandale, pushtetarët e Kosovës shkaktojnë pareshtur. Ende pa hipur në aeroplan, tërë opinioni u bombardua nga mediet mercenare të kapura nga presidenti, se ky i fundit do të takohet me kreun e SHBAsë. Por, si për ironi të fatit, në vend të takimit spekulativ, del një profesor i nderuar në SHBA dhe ua rikujton jo vetëm botës, por edhe popullit tonë të sunduar, se kush po na udhëheq! Nganjëherë është e nevojshme që dikush prej anës tjetër të globit ta thotë një të vërtetë për Kosovën, të cilën e dimë fare mirë, por na është bërë aq e zakonshme, saqë harrojmë që ta trajtojmë në seriozitetin e saj. Po, ne kemi një president të korruptuar, të shantazhuar, të frikësuar dhe, për fat të keq, që nuk e kontrollon më veten në asnjë veprim. Për të qenë edhe më e rëndë kjo situatë, këtij lideri që shpërdoron pozitën dhe shtetin e kapur prej vitesh, i shkon pas një shpurë injorantësh, servilësh, dallkaukësh, imoralësh, gazetarucësh, të cilët ngjajnë me klounët e një sundimtari. Sa turp për shtetin tonë!

(Kosova Sot)