Editoriali: Shëtitja e despotit në liqen

  • 01 October 2018 - 17:03
Editoriali: Shëtitja e despotit në liqen

Dikur i fyente protestuesit, duke u thënë se ikën "me bisht ndër shalë". Pasi u kthye vetë "me bisht ndër shalë", nga një vizitë donkishoteske në korridoret e OKB-së në Nju Jork, sunduesi i Kosovës u hodh në aksion menjëherë. Pikërisht në ditën kur protestohej kundër tij, protestohej kundër ndarjes së Kosovës, që ai me aq zell po e nxit sa po mundet. E quajti një "vizitë rutinore", por sa mund të jetë e tillë, në rrethana të jashtëzakonshme sigurie, me policë para e prapa, me shefat e organeve të sigurisë, të cilët i ka në grusht e bën me ta ç'të dojë. Si një timonier i vetmuar gjithsesi, në barkën e rezervuar për shëtitjen presidenciale e bëri spektaklin e radhës, gjoja për të na dëshmuar përkushtimin e tij për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës. Gjepura. Dokrra. Propagandë. As vetë Serbia më shumë nuk ka bërë për ta shtyrë përpara ndarjen e Kosovës. Për t'u kthyer në pushtet Ahmet Zogu, mbreti i shqiptarëve, ua fali serbëve pjesën më të bukur të kombit - Shën Naumin. Një tjetër sundues dëshiron t'i falë pjesën më vitale, pasuesve të Sllobodan Milosheviqit. Pa veriun, Kosova është e mangët si shtet. Liqeni i Ujmanit, 'Trepça', janë synimi i kamotshëm i politikës shoviniste serbe dhe për fat të keq një president si ky yni, në vend që të luante rolin kushtetues të unifikimit dhe mbrojtjes së vendit, po e bën të kundërtën, hapur, pa iu trembur syri. Populli ynë me siguri që nuk do ta lejojë, sepse sa për këto institucione të kapura, sa për këtë drejtësi të nënshtruar, sa për këtë Kuvend të shkapërderdhur, despoti ynë bën çka të dojë. Pasojat e sundimit të tij monstruoz janë të thella dhe çdo pore e jetës lëngon nga babëzia e këtij lideri dhe klanit që përfaqëson. Sa më shpejt çlirohemi prej tij, aq më e lehtë do të jetë frymëmarrja e Republikës së nënshtruar

 

(Kosova Sot)