Editoriali: Llaskucët e pushtetit

  • 03 October 2018 - 17:10
Editoriali: Llaskucët e pushtetit

Rritja e shpenzimeve për mallra e shërbime nga ana e Qeverisë e ilustron edhe një herë babëzinë e këtij pushteti të pangopshëm. Pasi e kanë stërmbushur secilin dikaster me gjithfarë pozitash, me një numër të pafund zëvendësministrash e këshilltarësh, kanë shpikur pozicione të kota dhe ministri pa kurrfarë funksioni e dobie, i janë sulur arkës së shtetit për ta boshatisur sa më parë atë. Qytetarët i kanë parë sesi mobilizohen shtetarët tanë në vizita shpesh të pavlera, marrin me vete dhjetëra këshilltarë, asistentë, pa harruar edhe familjarë të tyre dhe për ditë të tëra shpenzojnë pa kurrfarë kriteri. Kjo dukuri e shëmtuar dhe fyese për popullin tonë të varfër ndodh çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, tërë vitin, nga secila qeveri që vjen në pushtet. Kjo aktualja duket se do t'i thyejë të gjitha rekordet e deritashme. Askush nuk jep llogari për këto shpenzime marramendëse. Politikanët i janë sulur shtetit duke e zhvatur deri në themel dhe kjo është katastrofa më e madhe që po i ndodh Republikës. Me qindra miliona euro që i kanë bërë rrush e kumbulla mafio-politikanët me shpurat e tyre do të ishin ndërtuar shkolla e spitale, do të ishin aftësuar mijëra të rinj që sot duan të ikin një orë e më parë nga ky vend. Çfarë mesazhi dërgon një Qeveri si kjo e Kosovës, ku krerët e saj paguhen si në Slloveni, e populli jeton si në një geto afrikane?!Kuvendi duhet të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme, për të debatuar, për të kërkuar përgjegjësi nga ekzekutivi, por edhe nivelet e tjera të pushtetit, agjencitë e kompanitë, shërbimi diplomatik e çdo zyrë shtetërore që financohet nga paratë e taksapaguesve kosovarë. Duhet një herë e mirë të kufizohet me ligj kjo çmenduri financiare mbi kurrizin e njerëzve të varfër të këtij vendi. Duhet një herë e mirë, që t'u ndalohet pushtetarëve, që me paratë e shtetit të kapardisen në darka të shtrenjta, në vetura luksoze, në hotele që s'mund t'ua mbërrijë kurrë xhepi i tyre. Turp për këta politikanë, që meritojnë ndëshkimin më të madh!

 

(Kosova Sot)