Editoriali:Beteja me rezoluta të kota

  • 08 October 2018 - 17:24
Editoriali:Beteja me rezoluta të kota

Në pamundësi për ta ndalur kreun e Republikës së Kosovës, që po negocion fshehurazi prej kohësh me shovinistin serb, Aleksandar Vuçiq, pozita dhe opozita kanë hyrë në një betejë rezolutash, pa arritur kurrfarë rezultati. Të kapur e të shantazhuar, liderët kosovarë bëjnë vetëm luftë deklaratash, por nuk janë në gjendje të ulen së bashku e të arrijnë një kompromis për të ecur përpara. Edhe pse vazhdimisht shprehen kundër presidentit që po e shkel rregullisht Kushtetutën, duke kërkuar ndryshime kufijsh, politikanët tanë nuk e kanë seriozisht qëndrimin e tyre. Pjesën dërrmuese Thaçi i manipulon si të dojë, sepse fundja janë të trafikueshëm edhe në rrethana më të lehta, e lëre më në situata të ndjeshme, si tash. Një pakicë që mund të kërkojë shkarkimin e presidentit është e pafuqishme të shtyjë ndonjë agjendë më të guximshme përpara e si rrjedhojë skena politike mbetet e përçarë, ndërsa dialogu prapë në duart e presidentit të vetmuar. Bërja e rezolutave është thuajse e padobishme, sepse asnjë rezolutë e Kuvendit të Kosovës nuk mbahet mend të ketë prodhuar qoftë edhe një efekt sado modest juridik apo politik. Energjitë e Kuvendit duhet të përqendrohen së pari te parandalimi i bisedave sekrete dhe në kundërshtim me Kushtetutën, që po vazhdon t'i zhvillojë Thaçi. Kjo nuk bëhet me rezolutë, por duke kërkuar veprime konkrete nga mekanizmat përkatës, siç është Gjykata Kushtetuese, Prokuroria Speciale etj. Ka fakte të bollshme, që e vënë presidentin kosovar me shpatulla për muri. Kuvendi e ka një rezolutë ende në fuqi, që ia jep autorizimet për negociata me Serbinë kryeministrit. Për shkak të naivitetit dhe joseriozitetit të kreut aktual të Qeverisë, presidenti tinëzar manovroi me shpejtësi, edhe pse kundërligjshëm, ndërsa e uzurpoi procesin e dialogut. Por, veprimet presidenciale janë shkelje flagrante të ligjeve dhe Kushtetutës, e si të tilla duhet të penalizohen. Detyra e Kuvendit është t'ia përkujtojë drejtësisë se nëse nuk e zbaton ligjin, atëherë ligji do të veprojë edhe mbi bartësit e funksioneve, gjyqësorit e prokurorisë, që në heshtje po i binden paligjshmërisë presidenciale.

 

(Kosova Sot)