Editoriali:Të flasësh shqip!

  • 10 October 2018 - 16:38
Editoriali:Të flasësh shqip!

Publikut i kujtohet fare mirë retorika superlative e ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, në korridoret e OKB-së në Nju Jork, në raport me Serbinë, të cilën e lavdëronte për marrëdhëniet me shqiptarët derisa konsideronte se mes dy vendeve nuk ka pse të ketë fare kufij. Por, pak ditë pas lëvdatave të kreut të MPJ-së, dy shqiptarë u rrahën në Novi Sad, sipas raportimeve të deritashme, vetëm pse kanë folur shqip. Dikush mund të thotë se ky është incident i izoluar e lë të shpresojmë se rezulton I tillë, por në fakt, kjo nuk është hera e parë që shqiptarëve u cenohen të drejtat e tyre. Sa herë kemi parë arrestime të padrejta, ndalime, dhunë e shantazh, vetëm se janë shqiptarë të Kosovës! Si për ironi, më të shpejtë në reagimin e tyre kanë qenë vetë autoritetet serbe, që arrestuan disa të dyshuar, sesa institucionet kosovare, që u treguan si zakonisht neglizhente, të pakoordinuara. Liderët tanë janë tepër të zënë me korrigjimin e kufijve dhe luftën e brendshme për pushtet, prandaj edhe nuk është se u bën përshtypje ndonjë rrahje e shqiptarëve në Serbi. Vetëm nëse u shtohet presioni nga opinionin public dhe mediat, sepse, përndryshe, as në 'Facebook' nuk bëjnë ndonjë deklaratë, sa për të thënë. Ky incident është edhe një shembull tjetër, se çfarë shtetarësh të papërgjegjshëm ka në krye të Republikës sonë. Ata në vend që të mbrojnë secilin qytetar që dhunohet, ua shkelin të drejtat, i injorojnë ata. Është e mjerueshme se kush na përfaqëson sot në secilën zyrë të shtetit, deri në kreun e vendit. Bashkimit Evropian duhet t'i tregohet se kush i shkel të drejtat e njeriut në të vërtetë dhe askush nuk e përfshin në asnjë raport. Nëse një serb në Kosovë fare pak e shqetëson dikush, faqe të tëra shkruhen nga zyrtarët e Serbisë dhe raportohen në zyrat e Brukselit. Por, në anën tjetër, politikanët tanë as që mërziten për incidente serioze, si ai në Novi Sad. Turp për këta zyrtarë, që do të duhej një orë e më parë të shkarkoheshin!

 

(Kosova Sot)