Editoriali:Korrupsioni, ndërhyrja në gjyqësor, shteti i kapur

  • 12 October 2018 - 17:20
Editoriali:Korrupsioni, ndërhyrja në gjyqësor, shteti i kapur

Përmbushja teknike e kritereve për liberalizimin e vizave nuk mjafton për të thënë se Kosova është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Evropian. Zyrtarët e BE-së nuk harrojnë ta potencojnë të vërtetën e hidhur për realitetin kosovar, që, edhe pse gati dy dekada në liri, është zhgënjyes për shumicën e qytetarëve. Por, ajo që është më e rënda ka të bëjë me kapjen e thellë të shtetit. Mafio-politika dhe nëntoka dirigjojnë çdo institucion dhe asnjë reformë serioze deri tash nuk është ndërmarrë për t'i adresuar sfidat kryesore. Kapja e shtetit, të cilën duket se nganjëherë po e harron edhe opozita kosovare, është riaktualizuar nga Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë i Parlamentit Evropian, që e ka miratuar të mërkurën rezolutën për përparimin e vendeve të Ballkanit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në pjesën ku flitet për Kosovën, deputetët e Parlamentit Evropian rrisin shqetësimet për përhapjen e korrupsionit, ndërhyrjen në gjyqësor, si dhe elementet e shtetit të kapur. Deputetët e Parlamentit Evropian mirëpresin legjislacionin e miratuar lidhur me agjendën evropiane të reformave, por shprehin shqetësim për mungesën e konsensusit ndërpartiak dhe polarizimin e vazhdueshëm politik në Kosovë, i cili vazhdon të ndikojë negativisht në rrugën e reformës së qëndrueshme. Kosova vazhdon të jetë në një udhë pa krye, ndërsa qeverisja është e bllokuar në vendimmarrje, sepse nuk ka shumicë të mjaftueshme në Kuvend. Nëse opozita nuk shkon në seancat parlamentare, atëherë nuk ka kuorum dhe asnjë vendim i rëndësishëm nuk kalon. Por, thelbësorja, nuk po adresohet fare as nga kjo legjislaturë. Kur kryeministri aktual me disa partnerë të tij në qeveri ishte në opozitë, bërtiste kundër kapjes së shtetit sa kishte fuqi, por kur u ul në karrigen e ëmbël kryeministrore, harroi fjalët që i kishte thënë. Për ta rënduar situatën, qeveria aktuale po e thellon kapjen me njerëzit e saj, duke mos lëvizur asnjë anëtar të bandave të mëhershme që janë në krye të institucioneve, agjencive e kompanive publike.

 

(Kosova Sot)