Izolim dhe terr

  • 13 October 2018 - 17:21
Izolim dhe terr
Neglizhenca dhe papërgjegjësia e pushtetarëve kosovarë po e mban vendin në izolim dhe po i largon investitorët e partnerët e fuqishëm ndërkombëtarë. Deklaratat e Komisionares së BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel, kanë rikonfirmuar atë realitet për të cilin po shkruhet çdo ditë, por nuk po ndërmerret asgjë nga zyrtarët kompetentë. Edhe pse është thënë se janë përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, është më se e qartë se vendimi final, që e merr secili shtet, është mbi të gjitha politik. Këtë fakt e potencoi edhe Komisonarja evropiane, e cila u bëri thirrje përfaqësuesve të Kosovës që të vazhdojnë me dialog me të gjitha shtetet anëtare për t'i bindur ato që të marrin vendimin sa më shpejt që është e mundur. Por, problem qëndron në paaftësinë dhe joseriozitetin e qeveritarëve tanë, të cilët zhvillojnë vizita të shumta jashtë vendit që janë krejtësisht të padobishme. Me rëndësi për pushtetarët e Kosovës është që mëditjet të jenë të bollshme, hotelet dhe restorantet luksoze se sa i përket lobimit për liberalizim vizash, as që lodhen. Për vete e për familjarët e tyre kanë pasaporta diplomatike e nuk presin gjatë në radhë si qytetarët e rëndomtë. Ashtu siç nuk mërziten për izolimin e kosovarëve, pushtetarët nuk shqetësohen as kur partner të rëndësishëm, si Banka Botërore, tërhiqen nga projekte madhore, siç është Termocentrali "Kosova e Re". Qeveria po e fsheh të vërtetën për këtë dështim të madh, që do të ketë pasoja financiare, ekonomike dhe politike. Komisionarja e BE-së ka tërhequr vërejtjen dje se Kosova duhet të jetë e kujdesshme , sepse ka një vendim për Ballkanin Perëndimor që të investohen 30 milionë euro. Tërheqja e BB-së mund të ndikojë edhe në orientimin e këtyre fondeve, ndërsa qartazi bota po fokusohet gjithnjë e më shumë në energjinë e pastër, nga era, dielli. Në të dy rastet e dështimit, qoftë me zvarritjen e liberalizimit të vizave apo tërheqjen e BB-së nga TC "Kosova e Re", qeveritarët i bëjnë bisht përgjegjësisë, edhe pse janë fajtorë dhe duhet të japin llogari.

(Kosova Sot)