Alarmi për arsimin

  • 15 October 2018 - 17:27
Alarmi për arsimin

Për të kuptuar më mirë se sa jemi keqqeverisur pas luftës nga të gjitha pushtetet, duhet të lexohet hulumtimi i ri i Bankës Botërore për Indeksin e Kapitalit Njerëzor në Kosovë. Kapitali njerëzor është shtytësi kryesor i rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, por shëndeti dhe arsimimi i njerëzve nuk kanë fituar vëmendjen e merituar nga asnjëra qeveri kosovare, që më tepër janë përkushtuar të mbushin xhepat e zyrtarëve të korruptuar dhe të klientelës së tyre. Qeveria aktuale do të duhej ta analizonte me kujdes këtë studim, por fatkeqësisht mosreagimi ndaj të dhënave alarmante është një dëshmi se nuk do të ketë kurrfarë refleksioni nga pushtetarët tanë. Hulumtimi tregon se Indeksi i Kapitalit Njerëzor i Kosovës është nën mesataren e rajonit. Fëmijët në Kosovë pritet që të përfundojnë 12.8 vjet të shkollimit parafillor, fillor dhe të mesëm, deri në moshën 18-vjeçare. Megjithatë, kur vitet e shkollimit nivelohen me cilësinë e arsimit, atëherë arsimimi i tyre është i barabartë vetëm me 7.7 vjet, që do të thotë se ata kanë një mungesë prej 5.1 vjetësh. Për gati dy dekada, Kosova nuk ka qenë e aftë të ndërtojë një sistem cilësor arsimor. Politikanët e kanë rrënuar në themel shkollën, duke e shfrytëzuar për përfitime personale dhe partiake. Për të përfituar nga përparësia demografike dhe për të prodhuar një rritje më të shpejtë dhe më gjithëpërfshirëse, sistemi i përgjithshëm i arsimit në Kosovë duhet të sigurojë mundësi më të mëdha për përvetësimin e shkathtësive që kërkohen nga punëdhënësit. Sidoqoftë, shumica e të diplomuarve në vendin tonë nuk arrijnë të gjejnë një punë në profesionet përkatëse. Indeksi i Kapitalit Njerëzor tregon se një fëmijë i lindur sot në Kosovë do të jetë vetëm 56 për qind produktiv kur të rritet në krahasim me fëmijën që do të kishte arsimim komplet dhe shëndet të plotë. Për disa krerë të pushtetit, ndoshta këto të dhëna nuk kuptohen lehtë, por ky nivel kaq e ulët arsimimi do të duhej t'i alarmonte të gjitha institucionet dhe partitë që të paktën ta shpallin, më në fund, arsimin prioritet kombëtar.

 

(Kosova Sot)