Tallava Qeveria

  • 16 October 2018 - 17:09
Tallava Qeveria

Se sa joserioze është Qeveria aktuale, këtë e dëshmon në mënyrë të veçantë tallja me Ministrinë e Punëve të Brendshme, që është njëri ndër dikasteret kryesore të ekzekutivit. Tre ministra në një hark kohor prej një viti kanë qarkulluar në krye të MPB-së, e cila i takon AKR-së, partisë së biznesmenit kontrovers Behgjet Pacolli, që aktualisht ka dyfish ministri krahasuar me numrin e deputetëve në Kuvend. Shakaja e radhës është arsyetimi i publikuar nga deputeti i këtij subjekti, që është edhe një këngëtar i njohur i muzikës tallava. Ndërlidhja e emërimit me përkatësinë lokale, duke përmendur një komunë, pavarësisht cila është ajo , është sa qesharake, edhe e dhimbshme për mënyrën se si përzgjidhen drejtuesit e lartë të shtetit. E, ndërsa tekat brenda një partie, që mezi mbush një autobus me votues, përcaktojnë kush ulet në karrigen e ministrit e kush shkarkohet, Kosova vazhdon të kalojë periudhën më të keqe të sigurisë. Pasiguria është aq e thellë, saqë duhet të ruhesh ngado që shkon, kudo që rri…Që nga vjedhjet e përditshme, deri te sulmet me eksploziv, janë tashmë një refren gati i zakonshëm në jetën e kosovarëve. Një pseudo-parti shuan urinë për pushtet të klientelës së saj, e në anën tjetër, në fakt, tjetërkush qeveris. Nuk është ky as kryeministri, që thjesht është shndërruar në një instrument nënshkrues, sepse askush nuk e pyet për asgjë. Sunduesi i vërtetë është kreu i Republikës, që me gjasë e dirigjon edhe MPB-në e famshme. Presidentit i mjaftoi një shëtitje në liqenin e Ujmanit, të cilin po synon t'ia dhurojë Serbisë, për të dëshmuar se e kontrollon tërësisht sistemin e sigurisë. Sado tallava të jenë ministrat, despoti ynë kontrollon mekanizmin, dirigjon policinë, shërbimin sekret, drejtësinë. Të tjerët qartazi janë figurantë. Është e turpshme, që ky vend të drejtohet nga klounë dhe sundimtarë të tillë, që janë zhveshur nga çdo vlerë njerëzore!

 

(Kosova Sot)