President, dëgjoje Vasfijen!

  • 18 October 2018 - 17:20
President, dëgjoje Vasfijen!

Rrëfimi publik i Vasfije KrasniqitGoodman-it, njërës nga mijëra viktimat e mbijetuara të dhunës seksuale në luftën e Kosovës, ka tronditur mbarë opinionin publik duke rikthyer vëmendjen te pasojat e krimit gjenocidal të forcave dhe paramilitarëve serbë ndaj popullatës së pafajshme civile. Rasti i saj është dëshmi e një neglizhence kriminale të sistemit të drejtësisë.

Në moshën 16- vjeçare Vasfija u mor nga shtëpia e saj nga pjesëtarë serbë të Policisë, të cilët i ka identifikuar me emër e mbiemër -Jovica Dejanoviq dhe Gjorgje Bojkoviq. Përkundër faktit që ajo arriti t'i identifikojë personat, të cilët thotë se e dhunuan, gjykatat në Kosovë i shpallën ata të pafajshëm. Organizata 'Fondi për të Drejtën Humanitare', që ka monitoruar procesin gjyqësor ndaj Vasfije KrasniqitGoodman-it, thotë se i gjithë procesi gjyqësor dështoi, shkaku i një lëshimi të bërë nga hetuesit dhe jo në mungesë të provave dhe dëshmive.

Për ta rënduar edhe më tej këtë rast, Jovica Dejanoviq, njëri nga të akuzuarit për dhunimin seksual të Vasfije Krasniqit, rezulton të ketë qenë pjesë e Policisë së Kosovës për 16 vjet radhazi! Shumë njerëz kanë shprehur mbështetje të madhe për viktimën që tregoi historinë e saj të dhimbshme, por mbështetjen kryesore duhet t'ia japë sistemi i drejtësisë, duke dënuar sipas ligjit përdhunuesit.

Dhe jo vetëm kaq. Drejtësia duhet të ndëshkojë edhe ata zyrtarë, që mundësuan amnistinë e kriminelëve. Pas publikimit të kësaj historie, do të ishte vërtet e turpshme që presidenti ynë sërish të ulej në një tavolinë me nxënësin e Milosheviqit, për të diskutuar-kuptohet jo për krimet dhe dëmet e luftës-por për kufijtë e Kosovës. Serbisë duhet t'i bëhet e qartë se pa burgosur dhunuesit dhe vrasësit që enden sot të lirë, nuk ka dialog normal dhe nuk ka paqe të sigurt mes dy vendeve. Kosova, si shtet i pavarur dhe sovran, duhet të mbrojë qytetarët e saj e të mos përkulet para askujt, siç po e bën kreu i Republikës paturpësisht!

(Kosova Sot)