Shpend, dorëhiqu!

  • 22 October 2018 - 17:10
Shpend, dorëhiqu!

Në veturën e gjyshit, djali i shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë u zu me drogë dhe armë, ndërsa tentativa e organeve të drejtësisë, për ta mbyllur rastin, është tronditëse. Pa e prejudikuar fajësinë apo pafajësinë e Shpend Maxhunit, kreut të AKI-së, ish-shef i policisë, kjo ngjarje megjithatë nuk mund të kalojë në heshtje, ashtu sikur dëshiron drejtësia kosovare, të mos e trajtojë fare. Janë disa pyetje që shtrohen në këtë rast, por njëra është më kryesore - sa mund të përkujdeset për sigurinë e një vendi populli, shteti, një kryeshef inteligjence, i cili supozojmë se nuk paska dijeni për inkriminimin e djalit me narkotikë dhe armë? Megjithatë, ka plot argumente pse duhet të mendojmë se është e kundërta e kësaj. Gjithsesi, nëse mund të ketë mbetur fare pak besim në këtë sistem të mjerë drejtësie, u mbetet autoriteteve të japin përgjigjet e duhura, bazuar në ligj. Pritjet sigurisht se janë të zbehta edhe në këtë rast skandaloz, si në të gjitha aferat e tjera. A u zbulua ndonjëherë vjedhja e dhomës së dëshmive në Prishtinë, ku u grabit një sasi e madhe droge? A u zbulua ndonjëherë vjedhja e arit në dhomën e dëshmive në Pejë? E sa e sa shembuj të tjerë mund t'i numërojmë, për të portretizuar fytyrën e vërtetë të regjimit. Problemi është se Kosova po udhëhiqet nga zyrtarë e politikanë mafiozë. Prej tyre, e kotë të presim luftë të vendosur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sepse janë pikërisht ata që udhëheqin trafiqet e drogës e të armës, të njerëzve dhe kontrabandës, të hajnisë e të shumë ligësive të tjera. Disa pyetën se pse po heshtin krerët e Republikës ndaj këtij skandali dhe përgjigjja është e thjeshtë. Ata e kanë emëruar, sepse është njëri prej zbatuesve të skemës mafioze që ka shtrirë degët në secilën zyrë shtetërore. Për të provuar së paku të na bindë se është ndryshe, shefi i Inteligjencës duhet të paraqesë menjëherë dorëheqjen e parevokueshme!

 

(Kosova Sot)