Shuplakë gjermane për despotin e Kosovës

  • 25 October 2018 - 17:09
Shuplakë gjermane për despotin e Kosovës

Të gjithë ndërkombëtarët ia thonë, por kur ia thonë gjermanët, atëherë çështja bëhet edhe më serioze. Vizita e parlamentarit gjerman, Peter Beyer, në Prishtinë dhe në Beograd, përcolli mesazhet e duhura për liderët kosovarë, veçmas për presidentin autoritar, që mendon se vetëm ai do ta çojë Kosovën drejt një marrëveshjeje finale me Serbinë. Kuptohet, duke tregtuar veriun me Luginën e Preshevës, edhe pse ai nuk e përmend në deklaratat e tij, por është e qartë se skenari ogurzi vetëm i tillë do të ishte. Deputeti gjerman na e rikujtoi të gjithëve, pra, se normalizimi i marrëdhënieve pa njohjen e Kosovës nga Serbia ka qenë një kriter që nga fillimi, ndërsa shpikjet që i bën kreu i shtetit tonë janë përgjegjësi e tij personale. Beyer, i cili është edhe anëtar i Unionit Kristian Demokrat (CDU) të kancelares gjermane, Angela Merkel, si dhe koordinator i bashkëpunimit transatlantik në Parlamentin gjerman, e ka goditur Thaçin kur ka thënë se deklarata se nëntori është muaji i vendimmarrjes në dialogun KosovëSerbi me ndërmjetësim të BE-së, është parashikim i presidentit të Kosovës. Duke ritheksuar se Gjermania është kundër shkëmbimit territorial apo korrigjimit të kufijve, se Qeveria gjermane nuk është duke shqyrtuar fare ide të tilla dhe qëndrimi i kancelares gjermane Angela Merkel nuk do të ndryshojë, Beyer me siguri e ka nervozuar Hashim Thaçin, por e vërteta kjo është. Për Kosovën, është fat që një vend mbështetës, si Gjermania, nuk shpreh asnjë gatishmëri për të mbështetur presidentin e vetmuar që e ka hapur temën e ndryshimit të kufijve, pa kurrfarë argumentimi, baze dhe krejtësisht kundërligjshëm e në mënyrë sekrete. Kosova dhe Serbia i kanë marrëveshjet e Brukselit dhe nëse janë në gjendje t'i zbatojnë duhet ta bëjnë një gjë të tillë, por nuk ka asnjë nevojë, sidomos për palën kosovare, që të hyjë në një proces të ri negociator, ku hapet tema e kufijve dhe qartazi, veriu rrezikohet shumë.

 

(Kosova Sot)