Një herë na zhvatën, tash po rrahin

  • 26 October 2018 - 17:23
Një herë na zhvatën, tash po rrahin

Përfshirja e familjarëve të njerëzve me pushtet në incidente të ndryshme, rrahje, drogë, armëmbajtje pa leje etj., është bërë rutinë në Republikën e Kosovës. Një pjesë e madhe e tyre fshihen nga autoritetet e sigurisë, por në disa raste "sporadike"-siç do të thoshte presidenti - populli e merr vesh nga mediat ngjarjen. Përplasja me policët e djemve të "shefit të shefave", Adem Grabovci, është ende e freskët për opinionin publik, ndërsa këtyre të fundit as që u hy "ferrë në këmbë", kurse policët që guxojnë të ndalin bijtë e një politikani kapadai e pësojnë në fund. Si për ta vazhduar këtë traditë skandaloze, ishte zënia me armë dhe drogë e djalit të shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, një tjetër rast të cilin shteti pritet ta mbyllë. Shembulli i radhës ishte në Byronë Kosovare të Sigurimeve, një organ i rëndësishëm që mbikëqyr tregun e sigurimeve, një ndër bizneset më fitimprurëse në Kosovë, ku vëllai i presidentit kosovar, që u përfshi në një rrahje, të cilën po e heton prokuroria, është njëri ndër protagonistët kryesorë prej vitesh. Edhe pse presidenti Thaçi doli me një qëndrim distancues, duke vlerësuar se "të qenët familjar i një zyrtari të lartë nuk nënkupton imunitet dhe amnisti për askënd", në praktikë është më se e qartë se nuk do të ketë kurrfarë ndëshkimi nëse vëllai i tij rezulton të jetë përgjegjës për konfliktin fizik, ku u sulmua edhe një investitor i huaj. Të tri rastet e lartpërmendura, por edhe plot të tjera, që mbahen sekret nga organet policore, dëshmojnë për një mentalitet të rrezikshëm që është forcuar pas luftës, sidomos pas pavarësisë. Sa më tepër e kanë forcuar pushtetin oligarkët që e sundojnë Kosovën, aq më arrogantë janë edhe familjarët e tyre, sepse kanë filluar të mendojnë se mund të bëjnë ç'të duan, të rrahin kë të duan, të vjedhin sa herë të duan! Kosova duhet ta luftojë këtë abuzim të rëndë me pushtetin, sepse pasojat do të jenë të paparashikueshme, nëse nuk ka sundim ligji edhe për familjarët e oligarkëve.

 

(Kosova Sot)