Hakmarrës dhe mafiozë - Editoriali - Kosova Sot
Hakmarrës dhe mafiozë

Hakmarrës dhe mafiozë

Isa Mustafa sigurisht nuk mund ta harrojë mocionin e mosbesimit, që ia pamundësoi kompletimin e mandatit katërvjeçar si kryeministri i parë pas lufte i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Prandaj, sa të jetë ai lider i LDK-së, gjasat që partia më e madhe e opozitës t'i bashkohet Qeverisë në dialogun me Serbinë, janë thuajse zero. Gjithnjë ka një derë shpëtimi, por kësaj radhe ky është moment për revansh dhe politika kosovare është e mësuar të veprojë në mënyrë hakmarrëse. Refuzimi i Lidhjes Demokratike për kryetarin e PDK-së, njëherësh "spiker" i Kuvendit, siç preferon ta quajë ish-kryeministri Kadri Veselin, është gjithashtu një sinjal tjetër se zgjedhjet mund të mos vonojnë. Presidenti që ka mbështetjen e partisë së tij në idenë territoriale për bisedimet me Serbinë, mund edhe të nënshkruajë marrëveshje finale, por një e tillë do të shfuqizohej menjëherë në Kuvendin e Kosovës. Qeveria ka krizë numrash që nga krijimi i saj e si rrjedhojë, pa mbështetjen e LDK-së, procesi praktikisht bllokohet. Këtë e di fare mirë lideri i frustruar Mustafa, i cili e ka në dorë zhbllokimin ose shkuarjen në zgjedhje. PDK-ja e ka nuhatur si gjithnjë dëshirën e madhe opozitare për të ardhur në pushtet, kështu që edhe apeli i kryetarit të saj është paralajmërim për zhvillimet e ardhshme. Qeveria është duke u lëkundur dhe rënia e saj është e pritshme, nëse nuk do të ketë ndonjë kthesë të befasishme sa i takon dialogut. Mafio-politikanët janë të gatshëm të bëjnë gjithfarë pazaresh, vetëm që të rrinë në pushtet me çdo kusht. Dështimi aktual i presidentit, pasi kryeministri nuk e mbështet dialogun për territore apo "korrigjimin e kufijve", do të thotë se duhet kërkuar një alternativë tjetër. Shkarkimi i Haradinajt duket çështje javësh, me gjasë, sapo të miratohet buxheti për vitin e ardhshëm. Mafiozë apo hakmarrës, politikanët kosovarë, në fund e arrijnë paktin, por për fat të keq, jo për hir të shtetit. Çdo gjë e bëjnë për interesa klanore, partiake, korruptive dhe të oligarkëve!

(Kosova Sot)

22 orë e 56 minuta më parë
18/11/18