Ky Parlament nuk e ndal dot marrëzinë e despotit

  • 02 November 2018 - 17:19
Ky Parlament nuk e ndal dot marrëzinë e despotit

Dështimi i opozitës për ta bllokuar dialogun për territoret, që po e zhvillon presidenti ynë me homologun serb, është edhe një tregues i pafuqisë parlamentare për ta penguar ndarjen e Kosovës. Edhe pse rezolutat që votohen në Kuvend nuk merren shumë parasysh dhe zakonisht nuk janë zbatuar kurrë, gjithsesi tregojnë fuqinë politike në momente të caktuara në lidhje me proceset e caktuara, siç është dialogu me Serbinë. Jo vetëm në rastin e djeshëm, por edhe më herët, ky legjislativ ka dëshmuar se më tepër se përfaqësues i sovranit është marionetë e oligarkëve. Votimi i djeshëm dëshmoi gjithashtu se, pavarësisht deklarimeve publike nga partnerët e koalicionit, e vërteta është tjetër sa i përket qëndrimit në raport me presidentin e Kosovës. Liderët partnerë të PDK-së në publik thonë se janë kundër ndarjes, por në Kuvend i treguan Kosovës se nuk janë të gatshëm ta ndalin veprimin konkret të kreut të shtetit. Po të ishte ndryshe, deputetët e AAK-së dhe të Nismës do të duhej ta votonin rezolutën e opozitës, që propozonte përjashtimin nga dialogu të temës për territoret. Në këto rrethana, vazhdimësia e këtij Kuvendi, ndër më të paaftit dhe të nënshtruarit që ka pasur vendi, është me pasoja afatgjata për shtetin. Sovraniteti dhe integriteti ynë është në rrezik nga sundimtari numër një dhe vasalët e tij që e mbështesin, sepse janë pjesë e mafio-oligarkisë që përfiton, zhvat dhe nuk jep llogari para askujt. Kosovës i duhet një përfaqësim tjetër parlamentar, sepse këta deputetë janë të gatshëm të shesin çdo interes nacional, për të zbatuar direktivat e mafio-politikanëve që e dirigjojnë në të vërtetë secilin institucion. Është e pafalshme për Kuvendin që nuk arrin dot të flasë me një unitet politik për një çështje aq të ndjeshme, si ajo e territorit. Thaçi dëshiron ta amnistojë veten nga drejtësia ndërkombëtare, por si duket nuk është vetëm ai në këtë rast.

 

(Kosova Sot)