Projektbuxheti, tregues i dështimit qeverisës

  • 03 November 2018 - 17:10
Projektbuxheti, tregues i dështimit qeverisës

Qeveria miratoi dje Projektligjin për buxhetin, që pritet të jetë 2.3 miliardë euro vitin e ardhshëm, një rritje modeste dhe e pamjaftueshme për të realizuar projekte serioze në sektorët e ndryshëm të zhvillimit. Një pjesë e madhe e këtyre fondeve do të vazhdojë të derdhet në xhirollogaritë e kompanive që ndërtojnë autostrada, kurse pjesa tjetër do të shkojë kryesisht për paga dhe kategoritë sociale, ku prijnë mijëra "veteranë" të luftës, të cilët i kushtojnë shtetit 100 milionë euro në vit. Nëse llogarisim këtu edhe disa kosto të tjera që do të shtohen pasi të miratohen ligjet e propozuara në Kuvend, atëherë buxheti i vitit 2019 do të përballojë përgjithësisht paga dhe shtresa sociale. Si rrjedhojë, sektorët e rëndësishëm, si biznesi, arsimi dhe shëndetësia, rendi dhe siguria, kultura dhe sporti etj., nuk do të marrin vëmendjen e merituar prej kohësh. Është më se e qartë se pa u dhënë prioritet sferave të caktuara, nuk do të ketë përparim serioz asnjëherë, por vetëm zvarritje drejt një objektivi realisht të paarritshëm me këtë mbështetje të vogël buxhetore. Shifra e Projektbuxhetit për vitin e ardhshëm tregon gjithashtu paaftësinë edhe të kësaj Qeverie për të zvogëluar informalitetin e lartë që llogaritet të jetë mbi 30 për qind dhe kontrabandën e madhe, sidomos në pjesën veriore të Kosovës. Është gati një buxhet i tërë që përfundon në xhepat e kontrabandistëve, oligarkëve, të cilët duke shfrytëzuar lidhjet me pushtetin iu shmangen pagesave të taksave dhe tatimeve, duke e dëmtuar rëndë arkën e shtetit. Mosadresimi i kësaj problematike do të thotë se ekzekutivi në pushtet është nën kontrollin e rrjeteve mafioze që dirigjojnë me gjasë edhe politikën e korruptuar. Mjafton t'ua mbushësh gushën dhe çdo vendim qeveritar shkon në favorin e grupeve të caktuara të interesit, që po e sundojnë në fakt shtetin tonë. Ky buxhet mund të ndikojë në disa rritje vetëm te xhepat e politikanëve, por nuk ka pikë dyshimi, se shumica e kosovarëve do të jenë edhe më të varfër vitin e ardhshëm. 

 

(Kosova Sot)