Ta shpëtojmë Veriun - Editoriali - Kosova Sot
Ta shpëtojmë Veriun

Ta shpëtojmë Veriun

 Zbardhja e letrës së ish-negociatorit të BE-së në bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, i angazhuar nga Zyra e Baroneshës Ashton, britanikut Robert Cooper, ku ai flet për të vërtetën e dialogut sekret Thaçi-Vuçiq përbën një zhvillim të ri shumë shqetësues, që do të duhej të merrej seriozisht nga politika kosovare. Cooper, i cili rreth dy javë më parë ka marrë pjesë në "Belgrade Security Forum", si kryesues delegacionit të ECFR-së, ka shkruar një letër "private dhe konfidenciale" rreth udhëtimit studimor në kryeqytetin serb. Fakti më tronditës jepet që në krye të letrës, ku diplomati zbulon se shkëmbimi i shumëpërfolur i territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë është një mashtrim. Sipas tij, ideja është që Serbia ta marrë Veriun, ndërsa Kosova asgjë territoriale, por njohjen eventuale nga Serbia. Ndërkohë, në Kosovë, presidenti i vendit është i bindur se në bisedimet me shtetin serb do të kërkojmë bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës pa dhënë asgjë! Askush nuk i beson më broçkullat e Hashim Thaçit, i cili ka heshtur që kur u bë publike letra e Robert Cooper-it. Nëse analizohet situata me kujdes, është e qartë se më i besueshëm është diplomati britanik sesa lideri kosovar, i njohur për mashtrime dhe propagandë, për pabesi dhe zhvatje. Autoritetet kosovare formalisht e kanë shtrirë pushtetin edhe në pjesën veriore, por praktikisht ndikimi i tyre është thuajse zero. Lidhja e vetme me Prishtinën është përmes xhirollogarisë bankare, ku derdhen mjetet e buxhetit të Kosovës për Veriun e ndikuar tërësisht nga Serbia. Asnjë kontroll praktik nuk ushtrohet nga Qeveria jonë në Veriun e vendit. De jure Veriu është i Kosovës, de fakto, nën dirigjimin e Beogradit. Ndërkohë, në anën tjetër, Lugina e Preshevës është një trevë me shqiptarë, që vazhdimisht kanë vuajtur represionin serb, shtypjen dhe anashkalimin. Por, liderët kosovarë vetëm muajve të fundit janë kujtuar ta përfshijnë në fjalorin e tyre të varfër Luginën. Kuptohet, ndikimi i Prishtinës zyrtare është i papërfillshëm atje. Por, përse presidenti e lansoi idenë e territoreve? Duket se marrëveshja është e tillë, që Thaçi e hap temën e rrezikshme, ndërsa e vulos Vuçiqi. Si shpërblim, presidenti ynë, eventualisht, i shpëton Speciales.

(Kosova Sot)

16 orë e 1 minuta më parë
15/11/18