Tallja me dënimet

  • 07 November 2018 - 16:47
Tallja me dënimet

Ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja shprehu 'dëshirën" e tij për liberalizimin e vizave pas shqiptimit të dënimit me tre vjet burg nga Gjykata, për shpërdorim të detyrës zyrtare. Rasti i tij ishte njëri ndër të shënjestruarit në listën e BE-së. Sigurisht se nuk ka asnjë garanci që i dënuari, ashtu si disa "peshq" të tjerë të dënuar më herët në shkallën e parë, të vuajë qoftë edhe një ditë në burg. Apeli, në një pjesë të madhe të vendimeve, ka hedhur poshtë dënimet që shqipton Shkalla e Parë. Ka pasur raste kur ministra, ish-ministra apo zyrtarë të niveleve të larta, në fund ia kanë hedhur paq dhe pavarësisht akuzave të rënda janë liruar me eventualisht ndonjë dënim me kusht, por jo edhe burgim. Në përgjithësi, aferat korruptive, sidomos ato milionëshe, kanë përfundim të lehtë për protagonistët që ose janë në pushtet ose kanë lidhje të forta me pushtetarët. Rasti "Buja" nuk mund të na entuziazmojë se shteti po e lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar, sepse, me gjasë, edhe mund të jetë siç shprehet i dënuari, një plotësim kriteri për liberalizimin e vizave e më pas vjen edhe te lirimi i të apostrofuarit. Problemi që shtrohet është se deri kur drejtësia kosovare do të veprojë 'ad hoc' me instruksione politike, duke e humbur pavarësinë dhe fuqinë e saj që ia jep ligji dhe Kushtetuta?! Jo vetëm Buja, por janë edhe shumë "Buja" të tjerë, të cilët viteve të pasluftës, falë abuzimit me emrin e UÇK-së, u betonuan në pushtet dhe fituan miliona, kuptohet, në mënyrë abuzive. Për më pak, të korruptuarin do të duhej së paku një dënim 10 vjet burg, por me këtë sistem drejtësie, as që duhet të presim ndonjë zbatim rigoroz të legjislacionit. Liberalizimi i vizave është ndërlidhur gjithnjë edhe me sundimin e ligjit, megjithatë, Kosova çalon shumë në këtë aspekt. Qeveria është e mbushur me zyrtarë nën akuzë, Parlamenti gjithashtu. Në Kosovë, të qenit i pushtetshëm e zhvlerëson edhe aktakuzën më serioze. Prandaj, kur një "peshk" dënohet, ai gjithnjë gjen forca të bëjë shaka, sepse e di se si është finalja. 

 

(Kosova Sot)