Një taksë tepër e vonuar

  • 07 November 2018 - 18:40
Një taksë tepër e vonuar

Kosova ka qenë në mënyrë konstante e vërshuar, e bile edhe e nënshtruar, nga importet prej Serbisë, pavarësisht politikës destruktive e armiqësore në raport me vendin tonë nga Beogradi zyrtar. Për gati dy dekada, afro 20 miliardë euro të kosovarëve kanë përfunduar në xhepat e tregtarëve dhe shtetit serb, pa harruar këtu edhe hisen e pushtetarëve tanë të inkriminuar, që përfitonin nga ky biznes, shpesh ose gati gjysma informale dhe përmes kontrabandës së pashembullt e kriminale për vendin. Jorastësisht veriu ka mbetur një oazë e krimit të organizuar, ku serbë e shqiptarë mercenarë kanë vepruar në partneritet të plotë, me dijeninë dhe miratimin e qeverive respektive të tejinkriminuara. Lejimi i këtij importi, të paverifikuar, me cilësi të dyshimtë produktesh, ka ndikuar negativisht në përpjekjet e sipërmarrësve kosovarë që të forcojnë kapacitetet prodhuese. Subvencionimet e Serbisë për prodhuesit e atjeshëm kanë diktuar edhe çmimet në tregun kosovar, duke i çuar fermerët tanë drejt falimentimit. Pushteti rrallëherë mendoi për prodhimin vendor, sepse babëzia për të fituar sa më shpejt e me çdo kusht ndikoi që mafio-oligarkët të zbatojnë direktivat e Beogradit tepër armiqësor. Skandalet arritën deri aty sa kompani të afërta me pushtetin të importojnë grurë për kafshë e ta shesin më pas si miell për njerëz! Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur taksën në importe për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, në vlerën 10 për qind për të gjitha produktet që vijnë nga këto shtete, duke përjashtuar ato që janë brende ndërkombëtare, është i drejtë, por i vonuar dhe njëkohësisht ekziston frika se mund të jetë i përkohshëm. Edhe tentativat e mëhershme për të taksuar importet nga shtetet që nuk e njohin Kosovën kishin dështuar pas presioneve që kanë ardhur nga vendet e prekura tek qeveritaret tanë të nënshtruar. Pas këtij vendimi, pritet që kontrabanda dhe informaliteti të shtohen dukshëm dhe vetë autoritetet tona do ta lejojnë një gjë të tillë për përfitime kriminale. Ndërkohë se sa do të shtohen prodhimet vendore mbetet të shihet në këtë ambient të përkeqësuar biznesor, ku secili investitor po i shikon mundësitë ta zhvendosë kapitalin e të mos rrezikojë asnjë cent në Kosovën e kapur nga mafio-oligarkët e lidhur me Serbinë fqinje. 

 

(Kosova Sot)