Despoti ia zgjat izolimin popullit të Kosovës - Editoriali - Kosova Sot
Despoti ia zgjat izolimin popullit të Kosovës

Despoti ia zgjat izolimin popullit të Kosovës

Hapja e temës së territoreve në dialogun me Serbinë mund t'i kushtojë shtrenjtë Kosovës. Sinjalet serioze i solli në Prishtinë kancelari austriak, që konfirmoi skepticizmin e disa vendeve anëtare. Votimi në muajin dhjetor në Këshillin Evropian është në pikëpyetje, por "befasia" më e madhe duket se do të jetë hezitimi i Gjermanisë. Shteti më i fuqishëm i Evropës, që ka dhënë qindra milionë euro për Kosovën, nuk ka dhënë kurrfarë garancish se sivjet do ta shtyjë përpara heqjen e vizave për kosovarët. Pyetja, së cilës i shmangen liderët kosovarë, është e thjeshtë: Pse Berlini u bë pengesë për liberalizimin e shumëpritur të vizave?! Pushtetarët nuk duan ta pranojnë dhe e përjashtojnë ndërlidhjen e vizave me dialogun, por të gjitha rrugët të çojnë pikërisht aty. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ia ka bërë të qartë despotit Hashim Thaçi dhe pasuesve të tij se nuk e mbështet pazarin për territoret, ose thënë më qartë copëtimin e Kosovës. Megjithatë, ky i fundit, me arrogancën që e karakterizon, ia ktheu shpinën mbështetëses më të fuqishme të pavarësisë. Në këto rrethana të paqarta, Gjermania, si një destinacion i preferuar i kosovarëve, po tregohet shumë e kujdesshme, sepse është paralajmëruar një fluks i ri emigrantësh nga Kosova drejt BE-së. Askush nuk dëshiron të jetojë në këtë shtet të pasigurt, që copëtohet sa herë shantazhohet apo ka ndonjë biznes kriminal presidenti i Republikës. Askush nuk preferon që fëmijët e tij t'i vuajnë pasojat e një regjimi të egër, gati diktatorial, të pasluftës, që është vendosur nga liderët më të korruptuar në Evropë. Nëse populli hesht dhe duron, është e qartë se izolimi vazhdon, ndërsa aventura presidenciale e rrezikon substancën e shtetit tonë. Edhe pse nuk ka mbështetje politike dhe unitet për të dialoguar me presidentin serb, kreu i Kosovës do ta zhvillojë takimin e radhës, në të cilin do të diskutohet sërish ndarja e vendit. Shkarkimi i tij tashmë është kërkesë minimale!

 

(Kosova Sot)

17 orë e 5 minuta më parë
15/11/18