Urime Kosovë! Edhe një zv.ministër….

  • 10 November 2018 - 18:00
Urime Kosovë! Edhe një zv.ministër….

Dje u emërua edhe një zëvendësministër. Pak rëndësi ka kush është ai dhe në cilën ministri është vendosur. Ajo që vlen është se u rehatua edhe një militant partiak, që si shumë të tjerë, do të ketë një zyrë, staf përcjellës, veturë, rrogë shumëfish më të lartë se një pension. Sa më tepër i zgjatet jeta kësaj Qeverie, aq më i thellë bëhet abuzimi i saj. Kosova nuk ka pasur në historinë e saj kabinet më të dobët dhe të inkriminuar. Së fundmi, është raportuar se edhe një ministër tjetër rezulton të ketë telashe me drejtësinë. Si për ironi, ai është vetë ministri i Brendshëm, të cilit opinioni as ia di dhe as mund t'ia mbajë mend emrin, sepse është thjesht një ushtar partiak anonim i katapultuar nga tallava politika në krye të dikasterit kryesor për çështje të sigurisë. Dhe, nuk është i vetmi. Së paku janë pesë ministra nën akuzë e të tjerë mund të akuzohen, nëse drejtësia do të veprojë, sepse vendimet e kësaj Qeverie janë skandaloze. Jo vetëm që po shkelet ligji me të dyja këmbët, por është duke u shpërdoruar në mënyrën më të paturpshme buxheti i taksapaguesve kosovarë. Njëri ndër treguesit simbolikë është emërimi i dhjetëra zëvendësministrave e qindra këshilltarëve që shumohen nga dita në ditë në ministritë tona. Kostoja e tyre është shumëmilionëshe, edhe pse pjesa dërrmuese janë të panevojshëm për Qeverinë, të paaftë për shtetin, të padobishëm për shoqërinë. Por, motoja e kësaj Qeveria është e qartë tashmë- ta zhvatim deri në palcë popullin e shkretë! Suksesi i secilës qeverisje matet me treguesit ekonomikë e socialë, sigurinë dhe drejtësinë, barazinë dhe demokracinë. Asnjëri element nuk është pozitiv, as nën udhëheqjen e këtij lidershipi të stërkonsumuar në pushtet. Varfëria e papunësia janë rënduar, ekonomia është e ngulfatur nga oligarkët dhe mafia e pushtetit. Perspektiva është e errët dhe babëzia e emërimeve të zëvendësministrave, thjesht na bind se kjo Qeveri duhet rrëzuar një orë e më parë!

 

(Kosova Sot)