Oligarku i vogël takon oligarkun e madh

  • 13 November 2018 - 16:33
Oligarku i vogël takon oligarkun e madh

Në vend të fotografisë me një shtrëngim duarsh që nuk ndodhi me kancelaren gjermane Angela Merkel, despoti i Kosovës nuk hezitoi të publikonte foton e ditës, ku ai shihet me sundimtarin e Rusisë, Vladimir Putin, një lider i kritikuar nga Perëndimi për regjimin e tij autoritar, burgosjen e rivalëve politikë, shtypjen e medieve dhe mosrespektimin e të drejtave të njeriut. Edhe pse Moska zyrtare nuk ka asnjë njoftim për medie, "cicërima" e presidentit tonë entuziast për marrëveshjen finale me Serbinë, lë të kuptohet se Rusia e mbështet atë. Dje na tha se SHBA-ja e mbështet, sot na thotë se edhe Rusia, gjithashtu Gjermania, Franca, Britania e Madhe, etj…që të gjithë e mbështesin marrëveshjen për paqen mes Serbisë dhe Kosovës. Por, çfarë përmban kjo marrëveshje?! Pasi të kthehet kreu i Republikës me siguri diçka të re mund të shpalosë në ekranin e tij të preferuar përballë mercenarit të gazetarisë,që e përcjell hap pas hapi, që të kumtojë fuqishëm planin e vërtetëndarjen e Kosovës. Javët e fundit, sidomos Hashim Thaçi është akuzuar se po ndjek linjën ruso-serbe, duke hyrë në pazare për territorin, ku veriu mund ta pësojë më së keqi. Edhe pse presidenti ynë na bombardon përditë me refrenin "duam Luginën", në të vërtetë, Kosova jo vetëm që nuk ka gjasa ta arrijë një gjë të tillë, por rrezikon seriozisht të humbasë veriun. Rusia është ndër kundërshtaret më të mëdha të pavarësisë së Kosovës bashkë me Serbinë, pengesa kryesore në OKB. Kush do t'i besonte Thaçit, se ai e ka siguruar mbështetjen e Putinit pa kurrfarë koncesioni?! Kjo nguti presidenciale për ta falur veriun te Serbia duhet të ndalet sa më shpejt, sepse pasojat do të jenë të rrezikshme për stabilitetin e vendit. Është e papranueshme kjo retorikë ruso-serbe në gojën e presidentit të Republikës së Kosovës. Ndarja është një plan i Beogradit dhe Moskës, që fatkeqësisht ka gjetur mbështetje te presidenti kosovar, i ndihmuar nga marionetat e tij.

 

(Kosova Sot)