Ngjarje e vërtetë: Heroi im i vogël e mundi leukeminë (2)

  • 02 March 2017 - 16:33
Ngjarje e vërtetë: Heroi im i vogël e mundi leukeminë (2)

 Edhe ty, çka s’të bie ndërmend – iu përgjigja me buzëqeshje. – Duhet vetëm t’i bësh disa analiza, meqë mjekët duhet ta dinë se cilat ilaçe t’i japin, për dhembjet që i ke. Nuk tha asgjë, por megjithatë m’u duk sikur ia arrita ta qetësoja paksa. Takimi me spitalin ishte stresues, si për Gentritin, po ashtu edhe për ne. Në fakt, pa marrë parasysh sa të mrekullueshëm ishin mjekët dhe infermieret, si dhe sa të kujdesshëm që ishin me vocërrakët, dhembja dhe vuajtjet që mbretëronin në atë repart nuk mund të fshiheshin. Kishte aty fëmijë, të cilëve u kishin rënë flokët nga terapia, kishte të tillë që nuk mund të ngriheshin nga shtrati, për shkak të dhembjeve të mëdha. Ishte e tmerrshme t’i shihje ata fëmijë sesi vuanin. Gjatë ditëve të para të qëndrimit në spital, Gentritit ia bënë shumë analiza, por rezultatet për fat të keq, konfirmuan se bëhej fjalë për leukemi. Unë, që gjatë tërë kohës kisha pasur shpresa se diagnoza do të dilte e gabueshme, nuk mund të merrja frymë nga tronditja. Meqë më duhej të rrija në spital me djalin, vajzën katër muajsh ua lashë motrës dhe nënës. E dija se ajo ishte në duar të mira, por megjithatë isha e sigurt se ajo e ndiente mungesën time. Sa i përket burrit tim, ai më ndihmonte me aq sa mundte, duke pasur parasysh se i duhej të punonte tërë ditën, por edhe ai vuante pa masë. Ndihej i pafuqishëm që t’i ndihmonte djalit dhe shpesh kishte kriza të vajit. Por, më pas arrinte ta merrte veten dhe të manifestonte një optimizëm dhe besim te një e nesërme më e mirë për djalin tonë. Në një mënyrë të ngjashme edhe vetë ballafaqohesha me një situatë të tillë. Në fillim mendoja se duhej në një- farë mënyre ta fshihnim të vërtetën nga djali, por mjekët më bindën se kjo ishte e gabueshme. Fëmijët shumë mirë i kuptojnë përjetimet e prindërve dhe e dinë shumë mirë kur ata i rrejnë diçka. Mospërputhja midis asaj që dëgjojnë nga prindërit dhe asaj që ndiejnë, i frikëson dhe i shqetëson. Sa më i informuar që të jetë fëmija rreth asaj që është duke i ndodhur, natyrisht në nivelin adekuat për të, aq më lehtë gjen mënyra për t’u ballafaquar me atë situatë. Mjekët që përkujdeseshin për Gentritin gjithmonë përgjigjeshin në të gjitha pyetjet e tij, në mënyrë që ai ta dinte se çka ishte duke ndodhur në çdo etapë të mjekimit. Në rastin e tij nuk preferohej transplantimi i palcës ashtërore, por kimioterapia dhe isha shumë e shqetësuar për shkak të vuajtjeve dhe dhembjeve që do t’i kishte ai nga një terapi kaq e rëndë. Por, ai e përballonte këtë me guxim të madh. - Sëmundja ime është si përbindësh i filmave vizatimorë – më tha një ditë derisa ishte duke marrë infuzione. – Në fillim duket sikur ajo do të fitojë, por përbindëshat gjithmonë humbin në fund. Në ndërkohë, Gentriti mbushi pesë vjet dhe punëtorët e repartit ia organizuan një festë të vogël të ditëlindjes, me balona të larmë dhe me ëmbëlsira. Atmosfera ishte e gëzueshme dhe ai ishte tepër i lumtur, por derisa e shikoja sesi i fikte qirinjtë, sytë m’u mbushën me lot, meqë nuk mundesha e të mos e pyetja veten a thua do të jetë gjallë ai edhe për ditëlindjen e ardhshme. - Mos ashtu, zonja Drenushë – më ngushëlloi njëra nga infermieret, sapo pa lotët në sytë e mi. – Jam e sigurt se çdo gjë do të kalojë si më së miri, kështu që ditëlindjen tjetër, Gentriti do ta festojë me ju, në ambientin familjar, i rrethuar me miqtë e tij të vegjël. Në fund të ciklit të parë të terapisë, mjekët na thanë se sëmundja ishte tërhequr, gjë që ishte shenjë se ilaçet kishin pasur efekt. Natyrisht, para nesh ishte ende një rrugë e gjatë, por kjo të paktën jepte shpresë se rrjedha do të ishte e suksesshme. Filluan të na lëshonin në vikende më të gjata në shtëpi, gjatë të cilave mundohesha që Gentritin ta mësoja sa më shumë me një jetë normale në shtëpi. Por, duhej të kishim kujdes vazhdimisht, meqë kimioterapia ia kishte dëmtuar imunitetin, kështu që do të mjaftonte një ftohje e thjeshtë që ai të kishte komplikime serioze. Përkundër të gjitha këtyre, kënaqesha duke e parë se sa i lumtur ishte ai në ambientin familjar! Krahas kujdesit tonë të vazhdueshëm, pas dy vjetësh Gentriti ia nisi klasës së parë dhe filloi po ashtu edhe me mësim-besim. - Zoti na do të gjithëve dhe Ai është pranë nesh kur kemi nevojë – më tha ai një ditë pas orës së mësim-besimit. – Kjo dmth se Ai ishte me mua edhe gjatë qëndrimit në spital. E di, nënë, mezi pres që t’ia filloj të falem, meqë atëherë do të jem edhe më afër Zotit. Duke i dëgjuar ato fjalë, mezi arrita t’i përmbaja lotët. Isha tepër e prekur, e kur mendoja se ishte afruar koha kur mjekët duhet t’ia bënin analizat edhe një herë, për të parë se a ishte shëruar me të vërtetë, trupin ma kaplonin rrëqethje të forta. Sepse, gjithmonë ekzistonte frika se sëmundja mund të kthehej. (vijon) 

(Kosova Sot)