Ngjarje e vërtetë: Heroi im i vogël e mundi leukeminë (3)

  • 03 March 2017 - 13:27
Ngjarje e vërtetë: Heroi im i vogël e mundi leukeminë (3)

Kaluan edhe dy vjet. Dy javë më parë, djali ynë edhe zyrtarisht u shpall i shëruar. E më pas shkuam në xhami, ku Gentriti donte ta falte namazin e parë të tij. Ai kishte veshur një bluzë të bardhë dhe menjëherë u ngut të ulej në "safin", rendin e parë, ku ishin edhe disa miq të tij, të cilët i kishte ftuar. Unë dhe vajza rrinim jashtë. Ajo vazhdonte që të ishte tepër e gjallë edhe tani, kur ishte rritur paksa. Gentriti ishte sëmurë në një periudhë të vitit, kështu që për një moment, më kapluan mendime të errëta dhe mu rrëqeth trupi. Por, shumë shpejt i largova ato mendime.

Trimi im i vogël kishte luftuar si burrat për jetë a vdekje dhe kishte fituar, kështu që në asnjë mënyrë nuk guxoja që tani ta prishja atmosferën festive të kësaj dite. Edhe burri qëndroi jashtë, bashkë me mua. Mezi i mbanim lotët, që të mos na dilnin. Bashkë kishim përjetuar një periudhë të vështirë, sëmundjen e të birit dhe tani ndjenim një lidhshmëri më të fortë se kurrë. Derisa e shikoja djalin duke u falë për herë të parë, nuk mundesha e të mos mendoja për ata fëmijët që vazhdonin të qëndronin në spital, duke luftuar me sëmundje të rënda. Ndjeja një afërsi të madhe edhe me nënat e tyre, meqë edhe vet kisha kaluar nëpër atë ferr dhe kisha nevojë që t'ua ofroja mbështetjen e duhur, duke iu dhënë kurajë që të mos dorëzoheshin para dëshpërimit, por që ta ruanin shpresën që fëmija i tyre, një ditë, do ta mundte sëmundjen. Tani mjekësia kishte përparuar dukshëm sa i përket shërimit të atyre sëmundjeve, të cilat më parë thuajse ishin 100% vdekjeprurëse, por edhe ne, prindërit, kemi rëndësi të madhe në shërimin e fëmijëve tanë. Ne e kemi për detyrë dhe mund të bëjmë shumë duke iu dhënë besim te mjekët, optimizëm dhe shpresë për shërim. Sëmundja e Gentritit, përkundër të gjitha të këqijave që na solli, u bë edhe një leksion i madh jetësor për të gjithë ne. Mësuam se, në momente të tilla, njeriu mund të humbte gjithçka dhe që do të ishte tepër vonë kur një ditë, ai të shihte se nuk i kishte shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe momentet e çmueshme që ia kishte ofruar jeta. Unë dhe burri im këtë nuk do ta harronim kurrë më. Kishim mësuar se sa rëndësi të madhe kishte heqja dorë nga blerja e ndonjë gjëje jo të rëndësishme, duke i dhënë ato para për qëllime bamirësie, p.sh për studimin e tumorit te fëmijët, apo duke ua dhënë shoqatave që ndihmonin fëmijët e hospitalizuar dhe të sëmurë.

Çfarë domethënieje mund të kenë një palë këpucësh shtesë, një celular, apo çantë, krahasuar me mundësinë që të ndihmoje në gjetjen e ilaçeve të reja, më efikase? Ka aq shumë njerëz për të cilët një gjë e tillë mund të thoshte jetë dhe lumturi, sikur që ishte deri vonë edhe për ne. 

(Kosova Sot)