Këshilla grimi për femrat që e ndryshojnë ngjyrën e flokëve

  • 25 March 2017 - 19:41
Këshilla grimi për femrat që e ndryshojnë ngjyrën e flokëve

Një gjë e rëndësishme, që duhet ta mbani në mend, është që kombinimi mes grimit dhe ngjyrës së flokëve luan një rol shumë të rëndësishëm në mënyrën se si dukeni, andaj, nëse dëshironi që të dukeni sa më bukur, ndryshojeni grimin e vjetër, pasi që ta keni ndryshuar ngjyrën e flokëve, transmeton gazeta Kosova Sot.

KËSHILLA GRIMI PËR BIONDET

Pa marrë parasysh se a keni flokë bionde platini apo të arta, është e rëndësishme të kërkoni nuanca të buta të ngjyrave pastele të grimit, në mënyrë që grimit të përshtatet me ngjyrën e flokëve. Nuancat më të mbyllëta të grimit mund të krijojnë kontrast të madh, që, zakonisht, jep efekt të padëshiruar. Për mollëzat e faqeve provoni bojëkuq ngjyrë pjeshke, ndërsa për buzë provoni nuanca të mesme të ngjyrës rozë. Edhe në grimin e syve përdorni nuanca më të çelëta, derisa maskarën e zezë zëvendësojeni me maskarë ngjyrë kafe të mbyllët.

A DUHET T'I NGJYROSIM VETULLAT?

Nëse nuanca e re e flokëve nuk dallon shumë nga ngjyra që e keni pasur deri më tani, atëherë nuk është e thënë që të bëni ndryshime drastike në ngjyrën e vetullave tuaja, mirëpo, nëse ndryshimi i ngjyrës së flokëve është drastik, atëherë kërkojeni ndihmën e stilistit tuaj, për ta përshtatur ngjyrën e vetullave me të atë flokëve. 

KËSHILLA GRIMI PËR ZESHKANET

Flokët me ngjyrë të kafenjtë të mbyllët ose me ngjyrë të zezë mund të bëjnë që lëkura të duket më e zbehtë, andaj duhet të përdorni ngjyra më të ndezura në mollëza dhe buzë për ta krijuar iluzionin e një dukjeje më rinore. Ngjyra rozë dhe ngjyra e kafenjtë me nuanca të ngjyrës rozë mund t'ju ndihmojnë në trajtimin e buzëve dhe mollëzave. Në sy, përdorni nuanca të ndryshme të ngjyrës së kafenjtë. Zeshkanet, zakonisht, kanë mundësi më të mëdha për të zgjedhur. 

KËSHILLA GRIMI PËR FLOKËKUQET

Nuanca e flokëve pa dyshim që reflekton në lëkurën tuaj, andaj sigurohuni që të zgjidhni nuanca më të ngrohta të grimit. Për mollëza, përdorni nuanca të mesme të ngjyrës kafe, ndërsa në buzë provoni ngjyrën e pjeshkës ose ngjyrën e kuqe. Për grimin e syve përdorni hijezues me ngjyrë të gjelbër ose 'liner' dhe maskarë me ngjyrë kafe në të kuqe. 

KËSHILLA GRIMI PËR FEMRAT ME FLOKË TË HIRTË 

Flokët me ngjyrë të hirtë e 'thithin' ngjyrimin nga fytyra juaj, duke ju lënë me lëkurë më të zbehtë. Andaj, nëse keni flokë me ngjyrë të tillë, është e rëndësishme të aplikoni grim me nuanca më të ndezura, sidomos në mollëza dhe buzë. Ndërsa, sa i përket grimit të syve, vazhdoni me hijezues të bardhë ose ngjyrë hiri.  

(Kosova Sot)