Maska me vezë për pastrimin dhe tërheqjen e lëkurës

  • 26 June 2017 - 12:35
Maska me vezë për pastrimin dhe tërheqjen e lëkurës

Edhe pse nuk e rekomandojmë për një përdorim të shpeshtë, kjo maskë me të bardhë të vezëve mund të jetë tepër e përshtatshme për bukurinë tuaj, duke ua larguar puçrrat e zeza, transmeton gazeta Kosova Sot.


Përpos që janë një ushqim i mrekullueshëm dhe i shëndetshëm, vezët janë të dobishme edhe për bukuri, respektivisht lëkurë, meqë përmbajnë shumë proteina, vitamina dhe minerale. Disa kompani kanë filluar me përdorimin e përbërësve aktivë të vezëve, për krijimin e produkteve estetike, dedikuar trajtimit të problemeve të ndryshme të lëkurës. Maska për të cilën e kemi fjalën këtu, është e veçantë, meqë mund të përdoret në disa mënyra të ndryshme. Ju mund ta përdorni atë për ta pastruar fytyrën, por ajo është e mrekullueshme edhe për largimin e qelizave të vdekura të lëkurës. 

ÇFARË TË MIRASH SJELL KJO MASKË?

Aplikimi i kësaj maske në lëkurën tuaj stimulon përtëritjen e indeve të dëmtuara, duke parandaluar kështu shenjat e parakohshme të plakjes. Njëri ndër përbërësit e saj të veçantë, luteina, e ka aftësinë që ta ruajë yndyrën natyrore të fytyrës, duke i dhënë asaj edhe një elasticitet më të madh. Përbërësit e të bardhës së vezëve janë të përkryer në dhënien e një shkëlqimi të shëndetshëm lëkurës, si dhe në luftimin e lëkurës "së lëshuar". Kjo maskë ofron sasi të mëdha të vitaminave A, B dhe D, të cilat marrin pjesë në aktivitetin qelizor që pengon dëmtimet e shkaktuara nga radikalet e lira. Kjo maskë është po ashtu e mrekullueshme për mbylljen e poreve të zgjeruara, për largimin e njollave, apo për ngrehjen e lëkurës. Përdorimi i vazhdueshëm i këtij trajtimi rekomandohet për njerëzit që duan t'i largojnë puçrrat e zeza, për t'i zbutur vragat, si dhe për t'ia dhënë fytyrës një pamje të përtërirë. Efektet më të mira nuk shihen menjëherë, por që nga aplikimi i parë, do të ndjeni se keni një lëkurë më të pastër dhe më të butë. Njëra nga përparësitë e kësaj maske ka të bëjë edhe me faktin se është e lirë dhe krejtësisht natyrore. 

 

PËRBËRËSIT

• 1 vezë • shami të letrës • 2 tase • 1 pirun • 1 brushë

UDHËZIME

• Bëni një të çarë të vogël në vezë dhe ndajeni të bardhën nga e kuqja. Qitni ato në tase të ndryshme. • Rraheni të bardhët e vezës me pirun. • Futeni brushën në të bardhët e tundur të vezës dhe aplikojeni atë në fytyrë të pastër. • Para se të teret veza, preni shamitë e letrës në shirita dhe mbulojeni me to tërë fytyrën. • Aplikojeni tani një shtresë tjetër të së bardhës së vezës dhe lëreni që të teret. • Pas 20 deri 30 minutash do të vëreni se shamia e letrës është forcuar. • Tani, kapini skajet e maskës, nga pjesa nën mjekër dhe tërhiqeni me shpejtësi lart-jashtë. • Kjo tërheqje e shpejtë do të jetë e pakëndshme, por ajo është mënyra më e mirë për largimin e puçrrave të zeza dhe njollave. • Pasi që ta keni mbaruar këtë pjesë të trajtimit, përziejeni të kuqtë e vezës me një lugë vaj kokosi dhe tundeni lehtas. • Shpëlajeni pjesën e mbetur të së bardhës së vezës me ujë të vakët dhe aplikojeni të kuqtë e vezës, me anë të një brushe vizatimi. • Lëreni që të qëndrojë nja 10 minuta, e më pas largojeni me pak ujë të vakët dhe me sapun neutral. • Ju mund ta përsëritni këtë proces deri në dy herë në javë, me qëllim që ta mbani fytyrën tuaj të butë dhe shkëlqyese. Por, mos e përdorni më shpesh, meqë mund t'i largojë yndyrat natyrore të lëkurës.

 

VËREJTJE

• Mos e përdorni këtë maskë nëse jeni alergjikë ndaj vezëve, apo ndaj ndonjë përbërësi tjetër të maskës. Nëse nuk jeni të sigurt, bëjeni në fillim një provë të vogël, para se ta përdorni tërë produktin. • Mos harroni që era e vezës është paksa e pakëndshme kur të fillojë të teret. 

(Kosova Sot)