Çfarë buzëkuqi do të përdoret këtë vjeshtë?

  • 10 October 2017 - 18:41
Çfarë buzëkuqi do të përdoret këtë vjeshtë?

Me ardhjen e vjeshtës, përpos ngjyrave në natyrë, ndryshon edhe situata në çantat tona kozmetike, meqë jemi më të prira ndaj përdorimit të një grimi më intensiv 

Buzëkuqi është produkti i preferuar kozmetik për shumë femra, meqë edhe pamjen më të rëndomtë, sa hap e mbyll sytë, mund ta transformojë në diçka të veçantë. Te çdo femër në çantën kozmetike gjendet të paktën një buzëkuq, por shumica prej nesh i kemi disa sish. Sezoni i ri sjell me vete edhe disa nuanca më të përshtatshme për ditët vjeshtore dhe dimërore, të cilat janë para nesh.

TË GJITHA NUANCAT E SË KUQES

Kur janë ngjyrat në pyetje, hiti më i madh i këtij sezoni gjithsesi është e kuqja. Përpos në modë, e kuqja mbizotëron edhe në botën e bukurisë edhe atë, me të gjitha nuancat e saj. Buzëkuqi klasik i kuq është 'musthave' për çdo çantë kozmetike, pa marrë parasysh trendët, e njëra nga nuancat që janë në modë këtë vjeshtë, kur flitet për buzëkuqtë, pa dyshim është e kuqja e errët, apo bordo. Përpos kësaj, shumë moderne janë edhe nuancat e pemëve të malit, me nëntone të kuqe.

TONET E MBYLLËTA

Dhe, derisa gjatë verës jemi kënaqur me ngjyrat e ndezura në buzë, gjatë vjeshtës më në modë janë disa nuanca më të mbyllëta dhe më të qeta. Nuancat e errëta të buzëkuqit janë përzgjedhje e mirë për të gjitha ato të cilat nuk duan që të bien tepër në sy, e shumë mirë do të përshtatet me grimin e përditshëm. Përpos te e kuqja, këtë vjeshtë vëmendja është përqendruar edhe te të gjitha nuancat e ngjyrës së kafenjtë. Pa marrë parasysh a do të përcaktoheni për ndonjë nuancë të butë neutrale, apo për atë të çokollatës së errët, nuk do të gaboni.

NUANCAT 'NUDE'

Nuancat 'nude' (të ngjyrës së trupit) barten gjithmonë pa marrë parasysh sezonin, apo trendët. Këtë vjeshtë shumë të popullarizuara janë nuancat 'nude' me nënton të kafenjtë apo të kuqërremtë. Kur ta përzgjidhni buzëkuqin tuaj të preferuar në nuancë 'nude', atëherë gjithmonë përcaktohuni për atë që, për një nuancë, është më i ndritshëm, respektivisht më i errët, sesa teni juaj. 

 

(Kosova Sot)