Parandalojeni plakjen e lëkurës së qafës

  • 14 November 2017 - 08:34
Parandalojeni plakjen e lëkurës së qafës

Që tani filloni të përkujdeseni për lëkurën e qafës tuaj, pa marrë parasysh a i keni 19 apo 39 vjet

Të njëjtat femra që çdo muaj harxhojnë me dhjetëra euro për të blerë produkte për kujdes ndaj fytyrës dhe për grim, i cili ua mbulon të metat, shpesh harrojnë se mosha së pari vërehet në qafë dhe duar. Për këtë shkak filloni qysh sot që të përkujdeseni për qafën tuaj, pa marrë parasysh a keni 19 apo 39 vjet. 

Çka mund të bëjmë?

Me të vërtetë nuk ka nevojë që të blini ndonjë krem të veçantë vetëm për qafë, por është e nevojshme që, çdo ditë, qafën ta lyeni me krem. Në mëngjes dhe në mbrëmje, me rastin e vendosjes së kremit në fytyrë, mos harroni që kremin e njëjtë ta vendosni me kujdes edhe në qafë. Këtë gjithmonë bëjeni me lëvizje të buta nga poshtë-lart, në mënyrë që lëkurën të mos e tërhiqni poshtë.

Ushtrimet e qafës

Ushtrimet e qafës ua mundësojnë tendosjen (ngrehjen) e lëkurës së qafës, duke parandaluar formimin e 'tulit të fytit'. Shtrëngoni buzët sikur për puthje, më pas lakojeni kokën lart, duke u bërë kinse me buzë doni ta puthni tavanin. Do ta ndjeni një tërheqje të lehtë në fyt, kështu që lëkura e qafës vjen duke u tendosur. Këtë ushtrim bëjeni të paktën 20 herë brenda ditës.

Qëndrimi i drejtë

Nëse vazhdimisht rrini të kërrusur dhe, gjatë pjesës më të madhe të ditës, mjekra thuajse ua prek gjoksin, atëherë rrudhat në qafë do t'ju paraqiten më herët. Për këtë shkak, mbajeni kokën drejt!

(Kosova Sot)