Maskë ushqyese nga çokollata për lëkurë të thatë

  • 24 February 2018 - 10:42
Maskë ushqyese nga çokollata për lëkurë të thatë

Përveç vitaminave dhe mineraleve, çokollata përmban kafeinë që nxit normalizimin e qarkullimit të gjakut, por edhe parandalon ënjtjet. Maska me çokollatë e hidraton lëkurën dhe i dhuron shkëlqim. Çokollata është e pasur edhe me përbërës të tjerë të dobishëm, si teobrominë dhe teofilinë, që e shtrëngojnë lëkurën. Në industrinë e bukurisë përdoret çokollata me përqindjet të lartë të kakaos ose kakaos pluhur. Për ta përmirësuar gjendjen e lëkurës tuaj, këtë mund ta bëni me njërën nga këto tri maska, transmeton gazeta Kosova Sot.

MASKË ME ÇOKOLLATË DHE VEZË

1 vezë; 1 lugë ajkë; 50 gramë çokollatë të zezë. Përzieni vezën dhe shtoni një lugë ajkë, pak ujë të ngrohtë dhe çokollatën e shkrirë. Masën e aplikoni pas pastrimit të fytyrës, në qafë dhe dekolte po ashtu dhe duke e aplikuar i bëni masazh. E lini maskën të qëndrojë 15-20 minuta, më pas e shpëlani fytyrën me ujë të vakët. 

MASKË ME ÇOKOLLATË DHE VAJ ULLIRI

50 gramë çokollatë të zezë; 1 lugë vaj ulliri. Shkrini 50 gramë çokollatë të zezë dhe përzieni me një lugë vaj ulliri. E lini masën që të ftohet, e më pas me lëvizje të buta e aplikoni në fytyrë, qafë dhe dekolte. Maskën e lini të veprojë për 15 minuta, më pas e shpëlani fytyrën me ujë të vakët. 

MASKË ME ÇOKOLLATË, KRIPË DHE SHEQER

2 pjesë çokollatë; 2/3 e gotës qumësht; 1 lugë kripë deti; 3 lugë sheqer të vrugët. Shkrijeni çokollatën. Përzieni qumështin, kripën e detit dhe sheqerin e vrugtë e në fund shtoni çokollatën. Maskën e ftohur e aplikoni në fytyrë. E lini të veprojë për 15 minuta, e më pas shpëlani fytyrën me ujë të vakët. 

(Kosova Sot)