3 trajtime shtëpiake për lëkurë të bukur e të shkëlqyer

  • 23 March 2018 - 15:24
3 trajtime shtëpiake për lëkurë të bukur e të shkëlqyer

Kur bëhet fjalë për rininë dhe bukurinë koha ndoshta nuk mund të ndalet, por është e mundur që të ngadalësohet, transmeton  gazeta Kosova Sot.

Duhet t'i kushtoni vëmendje lëkurës dhe asaj t'i ofroni përkujdesjen e duhur, e cila do ta ruajë elasticitetin, shkëlqimin dhe rrezatimin e saj. Mos u brengosni, kjo nuk do të thotë se do t'ju duhet të shpenzoni shumë para në kremra dhe preparate për lëkurën e fytyrës. Mjafton që të shkoni deri te tregu i afërt dhe do t'i gjeni të gjithë përbërësit me çmime jo të shtrenjta, ndërsa efekti do të jetë i njëjtë, nëse jo edhe më i mirë! Nuk besoni? Atëherë ju mbetet vetëm që të provoni dhe të bindeni me efektet fantastike që ju ofrojnë maskat dhe trajtimet shtëpiake. Kemi ndarë për ju bombat më të mira me vitamina për ngjyrën e lëkurës suaj. Zgjidheni të duhurën për ju dhe fillojeni një fazë të re në kujdesin ndaj fytyrës. 

1. Pilingu - vitamina C

Me siguri e dini se vitamina C është e mirë për sistemin tuaj të imunitetit, por përveç kësaj ajo edhe e pastron shumë mirë fytyrën dhe është përbërës ideal për piling efikas të fytyrës në nivelin kimik. Një qeskë me vitaminë C në formë pluhuri ose 2 tableta që do t'i shndërroni në pluhur i përzini me qumësht të bajameve deri kur të formohet një pastë e dendur. Pastën e aplikoni në lëkurën e fytyrës dhe e lini që të veprojë. Kur filloni ta ndjeni një djegie të lehtë fytyrën e shpëlani me ujë të vakët dhe aplikoni tonik nga uji i trëndafilit. Nëse keni dëmtime në fytyrë mos e përdorni këtë maskë, sepse është shumë agresive ndaj plagëve të hapura

2.Trajtimi kundër plakjes - vitamina E

Nëse keni vërejtur linja dhe rrudha të imëta rreth syve dhe buzëve, mos panikoni! Krijimi i rrudhave është proces natyral në plakjen e lëkurës të cilit nuk i ka ikur askush. Këtë duhet ta pranoni si një gjë normale dhe të filloni që të kujdeseni në mënyrë të duhur për lëkurën në mënyrë që të ngadalësohet krijimi i rrudhave të reja dhe thellimi i të vjetrave. Vitamina E është një përbërës shumë i mirë kundër plakjes së lëkurës. Para se të flini e nxirrni përmbajtjen e një kapsule me vitaminë E dhe e aplikoni atë direkt në zonën problematike të lëkurës. Lëreni që të qëndrojë gjatë natës në mënyrë që të absorbohet nga lëkura e fytyrës suaj.

3.Maska ushqyese – acidet yndyrore Omega-3

Acidet yndyrore omega-3 kanë karakteristika shumë të mira për shëndetin e organizmit. Janë yndyra të shëndetshme të cilat janë të domosdoshme për funksionim normal të tij. Përveç kësaj, këto yndyra janë të mira edhe për kujdes ndaj lëkurës, reduktojnë inflamacionet, ndikojnë në reduktimin e dukshmërisë së rrudhave dhe pastrojnë poret e bllokuara. Pak fara të bluara ‘chia’ i përzini me jogurt organik dhe disa pika të vajit të lirit deri kur të bashkohen mirë. Përzierjen e aplikoni në lëkurë të fytyrës në formë të maskës dhe e lini që të veprojë për 15-20 minuta, e më pas e shpëlani me ujë të vakët. Nëse e aplikoni maskën në mbrëmje para fjetjes, efektet e saj do t’i ndjeni edhe gjatë ditës së nesërme! 

(Kosova Sot)