KRIJONI ILUZIONIN E SYVE MË TË MËDHENJ

  • 20 July 2018 - 16:24
KRIJONI ILUZIONIN E SYVE MË TË MËDHENJ

Femrat me sy të mëdhenj dhe të shndritshëm mund të konsiderohen të bekuara, megjithatë ju nuk keni nevojë të jeni gjenetikisht e bekuar, pasi që nëpërmjet këshillave të mëposhtme mund të krijoni iluzionin e syve të tillë.

APLIKONI NUANCA TË ÇELËTA NË SKAJET E BRENDSHME!

Aplikimi i ngjyrës me nuancë më të çelët në skajet e brendshme të syve është njëra nga fshehtësitë që funksionon për mrekulli nëse jeni duke kërkuar që të krijoni iluzionin e syve më të mëdhenj. Nuancat e çelëta veprojnë sikur theksuesi, duke bërë që sytë tuaj të duken më të mëdhenj, më të hapur dhe më të freskët.

THEKSOJENI ASHTIN E VETULLAVE, MIRËPO JO ME THEKSUES!

Theksimi i pjesës nën vetulla, saktësisht në ashtin e vetullave, tërheq vëmendjen në pjesën e epërme të syve, duke bërë që ata të duken më të mëdhenj. Rekomandohet përdorimi i kremit ose fshehësit që është për një nuancë më i çelët sesa ngjyra e lëkurës suaj. Gjithsesi, theksuesi nuk guxon të përdorët.

PËRDORNI DISA SHTRESA TË FSHEHËSIT PËR TË MBULUAR SHENJAT E ERRËTA!

Kur flasim për sytë e mëdhenj dhe të hapur duhet ta theksojmë faktin që çdo shenjë e errët është armik në vete. Gabimi më i madh që një femër mund ta bëjë është nëse nuk fshihen shenjat e zeza, që zakonisht shfaqen në pjesën e lëkurës në sy. Rekomandohet përdorimi i fshehësit me nuanca ngjyrë rozë, e pastaj të aplikohet edhe fshehësi me nuanca të ngjyrës së verdhë.

“LINER”-I I BARDHË “

Liner”-i i bardhë ndikon shumë në krijimin e iluzionit të syve më të mëdhenj. Andaj, përdorni “liner” me ngjyrë të bardhë në skajin e brendshëm të linjës së qerpikëve dhe me fare pak përpjekje do të fitoni sy të mëdhenj që shndrisin.

BUZËT NGJYRË BEZHE

Nëse dëshironi që të gjithë sytë të kthehen nga sytë tuaj, është shumë e rëndësishme që pjesa tjetër e grimit të fytyrës të jetë sa më natyrale që është e mundshme. Andaj, ngjyrosni buzët me ngjyra me të zbehta, nëse dëshironi që vëmendja të jetë tek sytë.

QERPIKËT ARTIFICIALË

Arsyeja kryesore që modeleve iu vendosen qerpikë artificialë është që ata ndikojnë shumë në krijimin e iluzionit që të gjitha femrat e dëshirojnë - sy të mëdhenj. Është e rëndësishme që të përdoren dy palë qerpikë artificialë, njëri për gjatësi e tjetri për gjerësi, dhe pasi ta keni bërë një gjë të tillë, automatikisht do të fitoni sy të mëdhenj.

DREDHONI QERPIKËT!

Largimi i qerpikëve nga territori i syve, përmes dredhimit të tyre, bën që sytë të ekspozohen më tepër dhe automatikisht krijohet përshtypja që janë më të mëdhenj. Për ta arritur këtë efekt investoni në një palë dredhuese të qerpikëve dhe dredhoni qerpikët çdoherë para se të aplikoni maskarën. 

 

(Kosova Sot)