Pastrimi i dyfishtë i lëkurës para gjumit, teknikë e re që ju mundëson të keni lëkurë më të shëndoshë

  • 23 September 2018 - 08:15
Pastrimi i dyfishtë i lëkurës para gjumit, teknikë e re që ju mundëson të keni lëkurë më të shëndoshë

Së fundmi ka filluar të flitet shumë për një teknikë të re të pastrimit të fytyrës para shkuarjes në shtrat, teknikë kjo që po konsiderohet si 'pastrim i dyfishtë', për shkak të dy proceseve të ndara, për pastrimin e lëkurës. Ndonëse dikush mund të mendojë që kjo gjë mund të jetë shpikur nga kompanitë e prodhimit të kozmetikës, mirëpo, sipas ekspertëve, pastrimi i dyfishtë i fytyrës është shumë i rëndësishëm për faktin se produktet e grimit 'piqen' gjatë gjithë ditës nga rrezet e diellit, e kur kësaj ia shtojmë faktin që këto produkte kanë formulë të dizajnuar për t'u ngjitur me lëkurën, atëherë bëhet e kuptueshme që largimi i grimit është një proces i vështirë, që rrjedhimisht kërkon pastrim të dyfishtë. "Është sikur fillimisht ta largosh baltën nga këpucët, e pastaj ta pastrosh lëkurën e këpucëve. Grimi tani është i punuar me formulë të veçantë, për të qenë në gjendje që të qëndrojë më gjatë, andaj shpeshherë kemi nevojë për pastrim të dyfishtë, për të qenë në gjendje që ta largojmë në tërësi. Me pastrimin e dyfishtë, në herën e parë largohet pjesa më e madhe e grimit. Mirëpo, terapistja Kate Kerr, e cila i inkurajon të gjitha klientet e saj që ta bëjnë pastrimin e dyfishtë, ka edhe diçka për të shtuar. "Kjo nuk ka të bëjë vetëm me largimin e papastërtive dhe yndyrës, mirëpo edhe me zbutjen e lëkurës, për t'u siguruar kështu që çdo gjë që përdorni të absorbohet më lehtë nga lëkura", ka thënë Kerr. Kur aplikohen produktet për mbrojtje nga plakja e parakohshme, është e detyrueshme të keni lëkurë të pastruar. Hulumtimet kanë treguar që lëkura, e cila nuk është e pastruar siç duhet, jo vetëm që duket e yndyrshme, për shkak të grumbullimit të qelizave të vdekura dhe papastërtive, mirëpo parandalon edhe përbërësit aktivë nga futja në vendet ku duhet të futen. Një studim i bërë së fundmi ka treguar që femrat, të cilat e kanë pastruar lëkurën e tyre siç duhet, kanë përfituar nga produktet për mbrojtje nga shenjat e pleqërisë dy herë më shumë sesa femrat që nuk e kanë pastruar fytyrën e tyre para përdorimit. Ndërsa, sa u përket llojeve të pastruesve të lëkurës, që duhet përdorur, ekspertët e bukurisë dhe dermatologët kanë dhënë mendime të ndryshme, mirëpo e vërteta është që ju duhet të përdorni produktet, që i përshtaten më së miri lëkurës suaj. 

 

(Kosova Sot)