Ja si mund ta gjeni ngjyrën e flokëve që i përshtatet lëkurës suaj - Femra - Kosova Sot
Ja si mund ta gjeni ngjyrën e flokëve që i përshtatet lëkurës suaj

Ja si mund ta gjeni ngjyrën e flokëve që i përshtatet lëkurës suaj

A ju ka ndodhur ndonjëherë ta ndryshoni ngjyrën e flokëve duke menduar që do të dukeni bukur dhe të zhgënjeheni tmerrshëm? Nëse po, atëherë ju jeni njëra nga femrat e shumta, që do të përfitojnë nga këshillat, të cilat ua kemi sjellë më poshtë, që ju ndihmojnë ta gjeni ngjyrën e përkryer të flokëve, në bazë të nuancës së lëkurës suaj ,raporton Gazeta Kosova Sot.

IDENTIFIKOJENI NUANCËN E LËKURËS

Ky, në fakt, është hapi më i rëndësishëm për identifikimin e ngjyrës së flokëve, që ju përshtatet më së shumti. Kjo pasi që pasi ta keni identifikuar nuancën e lëkurës suaj, ju do të jeni në gjendje të dukeni për mrekulli, me ngjyrën e flokëve që ju përshtatet. 

LARGOJENI GRIMIN

Pa marrë parasysh se çfarë nuance ka baza e grimit tuaj dhe sa e përshtatur me lëkurën tuaj është ajo, gjithmonë është e rëndësishme që ta pastroni krejt grimin, për të qenë në gjendje që ta shihni nuancën natyrale të lëkurës suaj. Për rezultatet më të mira, përdoreni nuancën e lëkurës së qafës.

NGJYRA E VENAVE

Ngjyra e venave shpeshherë (ndonëse, jo gjithmonë) përbën një mënyrë të shpejtë dhe të lehtë për identifikimin e nuancës së lëkurës suaj. Nëse venat tuaj duken me nuancë të ngjyrës së kaltër në vjollcë, i bie që ju keni nuancë të 'ftohtë' të lëkurës, ndërsa, nëse venat tuaj duken si të gjelbër, atëherë keni nuancë të 'ngrohtë' të lëkurës.

TESTI ME BLUZË

Merreni një bluzë me ngjyrë të verdhë dhe vendoseni në fytyrë. A duket fytyra juaj me shkëlqim apo si e zhytur në hije? Pastaj, provojeni të njëjtën me një bluzë të kaltër. Nëse lëkura juaj e gjen shkëlqimin pranë bluzës së verdhë, me shumë gjasë ju keni nuancë të 'ngrohtë' të lëkurës. E kundërta vlen për femrat që 'shkëlqejnë' pranë bluzës me ngjyrë të kaltër.

NGJYRA E SYVE

Cilës kategori i përket ngjyra e syve tuaj: të zi, ngjyrë kafe të errët, të hirtë dhe të kaltër të mbylltë apo të gjelbër, ngjyrë gështenje, të kaltër të çelët dhe kafe në të artë? Nëse ngjyra e syve tuaj bën pjesë në kategorinë e parë, atëherë me shumë gjasë keni nuancë të 'ftohtë' të lëkurës, në të kundërtën nuanca e lëkurës suaj duhet të jetë e 'ngrohtë'. 

A RREZITENI LEHTË?

Nëse pas disa orëve të kaluara në rrezet e diellit futeni në shtëpi dhe e shihni që lëkura juaj ka marrë një ngjyrë joshëse, atëherë gjasat janë të mëdha që ju keni nuancë të 'ngrohtë' të lëkurës suaj. E, nëse futeni në shtëpi e djegur nga rrezet e diellit, atëherë me shumë gjasë i takoni kategorisë së femrave që kanë nuancë të 'ftohtë' të lëkurës.

ÇKA PAS GJETJES SË NUANCËS SË LËKURËS?

Teoria e ngjyrave aplikohet pothuajse kudo, duke filluar nga rrobat, grimi e deri tek ngjyra e flokëve. Nëse keni nuancë të 'ngrohtë' të lëkurës, ngjyrat më të përshtatshme për ju janë bionde platini dhe nuancat e ndryshme të ngjyrës së gështenjë. Nëse lëkura juaj ka nuancë më të 'ftohtë', atëherë ju do të dukeshit për mrekulli me ngjyrë bionde të ngrohtë, të kafenjtë të artë ose nuancat e buta të ngjyrës së kuqe dhe të zezë.

ENDE E PASIGURT? VIZITOJENI EKSPERTIN

Stilistët e flokëve zakonisht kanë një përvojë të gjatë me trajtimin e ngjyrave të flokëve, andaj edhe mund ta bëjnë dallimin mes nuancave të ndryshme të tyre dhe kombinimet mes nuancave të flokëve dhe lëkurës. Këshilla për vizitë në sallon bukurie vlen sidomos për femrat që janë duke e konsideruar një ndryshim drastik të ngjyrës së flokëve. 

(Kosova Sot)

17 orë e 7 minuta më parë
24/10/18