Çizmet që janë në trend këtë sezon

  • 23 October 2018 - 22:29
Çizmet që janë në trend këtë sezon

Muajt vjeshtorë, të cilët jemi duke i shijuar, si dhe ditët dimërore, të cilat na presin, nënkuptojnë një gjë të përbashkët - çizmet. Na duhet që ta pranojmë se të gjitha ne i duam dhe i përdorim çizmet, si në variantin ditor, po ashtu edhe në atë të mbrëmjes, të shkurta deri në zogjtë e këmbës, apo të gjata deri mbi gjunjë, në kombinim me pantallona, funde, xhinsi, apo edhe fustane. Por, duke i përcjellë trendët aktualë të modës, atëherë këtë sezon në qendër të vëmendjes do të jetë një lloj i çizmeve. Gjatë ditëve të fundit në Instagram, midis blogereve më të njohura të modës, sidomos të pëlqyeshme janë çizmet 'kroko' - modeli deri te gjunjët me nënshkrimin e brendit italian, "Paris Texas". Së pari ato i reklamoi Emily Ratajkowski gjatë Javës së modës në Milano, e më pas edhe yjet e tjera të Instagramit, si Chiare Ferragni, Dilette Bonaiuti dhe Tiffany Hsu. Sa iu përket këtyre çizmeve të popullarizuara, ekzistojnë edhe variante me thembër më të ngushtë dhe më të gjerë, e përpos në ngjyrën standarde 'braon', e cila është klasike kur flitet për këpucët, këto çizme janë paraqitur edhe në variantin e dizajnit të lëkurës së gjarprit, gjë që duket për mrekulli. Çka fshihet, në të vërtetë, pas emrit të këtij brendi? Brendi në fjalë është themeluar 3 vjet më parë, nga motrat Annamaria dhe Margherita Brivio, të cilat nuk e përzgjodhën këtë emër rastësisht. "Paris" duhet që të sinjalizojë se bëhet fjalë për këpucët e sofistikuara që respektojnë modën tradicionale, derisa "Texas" tregon se brendi përfshin edhe risitë argëtuese që dalin nga klasikja. Ajo që motrat e theksojnë me krenari, është se çdo pjesë e çizmeve është bërë në Itali. Na duket që ky trend do të jetë njëri ndër më të pëlqyerit gjatë periudhës së ardhshme, kur flitet për modën botërore. A ju pëlqen edhe juve.

 

(Kosova Sot)