Si ta vendosni hijen 'mat' në sy?

  • 09 November 2018 - 14:33
Si ta vendosni hijen 'mat' në sy?

Jemi të sigurt se do të pajtoheni me ne se, sytë e grimosur në mënyrë efektive janë pjesë e paevitueshme e pamjes së përgjithshme atraktive Kësaj here, tema jonë është rreth hijes 'mat', e cila është një mbretëreshë e vërtetë në botën e grimit. Për dallim nga hijet shkëlqyese, të cilat kryesisht i preferojmë për variantin e mbrëmjes, hija 'mat' përshtatet për mrekulli edhe me stilin e ditës, por edhe atë të mbrëmjes, sa i përket stilit të grimit. Natyrisht, me qëllim që efekti të jetë sa më i plotë, duhet përdorur ca rregulla kur flitet për grimosjen e syve. Në vazhdim mund të lexoni si mund ta vendosni hijen 'mat' për sy, në mënyrë që të mbeteni të kënaqura me pamjen tuaj më pas.

PËRGATITNI KAPAKËT E SYVE PËR GRIM 

Kur flitet në parim për grimosjen e syve, më së shumti rëndësi ka përgatitja e kapakëve të syve, gjë që mund ta arrini duke ndjekur këta hapa. Në rend të parë duhet vendosur prajmerin, i cili në mënyrë direkte ndikon në qëndrueshmërinë e grimit në sy, si dhe në atë se me sa lehtësi manipulohet me hije gjatë vënies së grimit. Pasi keni pritur disa minuta, që lëkura e kapakëve të syve ta thithë prajmerin, atëherë e vendosni korrektorin në një shtresë të hollë, duke e prekur më pas me brushë, apo gishta. Në fund, në kapakët e syve vendosni pudër pluhur dhe, vetëm tani kemi përfunduar me përgatitjen për hapat e tjerë, kur flitet për grimosjen e syve. Një përgatitje e tillë e forcon edhe efektin 'mat'.

VENDOSJA E HIJES KOZMETIKE 

Pason vënia e hijes kozmetike në sy, në nuancat që i keni përzgjedhur më parë. Përkujdesuni që të keni në dispozicion hije të çeltë, ajo me ton mesatar, si dhe ajo më e errët, duke i përdorur që të tria ato. Një kombinim i tillë është më i mirë te hijet mat. Filloni nga hija mesatarisht e errët, të cilën e veni në palën e kapakut të epërm. Më pas hijen më të ndritshme e vëni, së pari, në pjesën e poshtme të kapakut, e më pas edhe nën vetull, si dhe te pjesa e brendshme e syrit. Në fund, hijen më të errët e vëni vetëm në pjesën e jashtme të palës dhe e lidhni me këndin e jashtëm të kapakut të syve. Të tri nuancat e hijes i 'shkrini' mirë midis veti me anë të brushës. 


PËRFUNDIMI DHE FIKSIMI

 Në fund, që grimi në sytë tuaj të jetë komplet, mos harroni që ta plotësoni ashtu që i theksoni vetullat dhe vëni maskarë, pasi më parë i keni lakuar qerpikët. Dhe, tërë këtë mund ta fiksoni me sprej të veçantë të grimit.
 

(Kosova Sot)