Ilaçet natyrale që stimulojnë rritjen e flokëve

  • 15 September 2015 - 22:59
Ilaçet natyrale që stimulojnë rritjen e flokëve

Nxehtësia e tepërt, krehja e pakujdesshme dhe mungesa e trajtimit të rregullt ndikojnë që flokët të bëhen të brishtë, e si rrjedhojë të mos rriten me avaz normal. E, për ta stimuluar rritjen e flokëve, mund t’i provoni ilaçet natyrale, që jua kemi sjellë më poshtë, të cilat, përveçqë janë më të efektshme, ua kursejnë edhe një mal me para

Fotoarkiva: visari: qepa

 

1. Lëngu i qepës

Qepët përmbajnë sulfur, element ky shumë i rëndësishëm për stimulimin e prodhimit të indeve të kolagjenit, që rrjedhimisht ndikojnë në rritjen e flokëve.

Procesi:

Merrni 2-3 qepë të kuqe dhe copëtojini në copëza të vogla. Shtrydhni mirë copëzat e qepëve për t’ua nxjerrë lëngun dhe lëngun e nxjerrë aplikojeni në lëkurën e kokës. Lëreni lëngun ta kryejë punën e vet për 15-20 minuta, para se ta pastroni kokën me shampon.

Një tjetër alternativë është zierja e disa copëzave të qepës në ujë dhe pastrimi i kokës me atë ujë.

Image

2. Vezët

Vezët janë përdorur si ilaç për stimulimin e rritjes së flokëve që prej kohërave antike. Vezët përmbajnë sasi të madhe të proteinave dhe janë të pasura edhe me zink, sulfur, hekur, fosfor dhe jod, elementë këta të nevojshëm për stimulimin e rritjes së flokëve të rinj.

Përbërësit:

Një ose dy vezë

Një lugë çaji vaj ulliri

Një lugë çaji mjaltë

Procesi:

Nxirreni vetëm të bardhtë e vezës dhe shtojani të gjithë përbërësit tjerë. Përzieni mirë përbërësit deri sa të krijohet një pastë e butë, para se ta aplikoni pastën në flokë. Përzierjen e fituar lëreni në kontakt me flokët për njëzet minuta, para se kokën ta pastroni me ujë të ftohtë dhe shampon.

Image

3. Lëngu i patateve

Patatet janë të pasura me kalcium, hekur, kalium dhe proteina, që ndihmojnë në rritjen e flokëve të gjatë e të fortë.

Procesi:

Nxirreni lëngun nga patatet dhe aplikojeni në lëkurë të kokës. Lëreni të qëndrojë për pesëmbëdhjetë minuta, para se t’i pastroni flokët.

Ky ilaç është shumë i rëndësishëm për të gjitha femrat që kanë probleme me flokët e hollë e të brishtë.

Image

4. Bananet

Bananet përmbajnë sasi të madhe të kaliumit dhe vitaminës A, E dhe C, që ndihmojnë në rritjen më të shpejtë të flokëve.

Procesi:

Merreni një banane të qëruar dhe shtypeni mirë për ta krijuar një pastë, me të cilën më pas i bëni masazh lëkurës së kokës dhe flokëve tuaj. Pasi të keni kryer punë me masazh, mbështilleni kokën me qese plastike dhe pasi që ta keni lënë bananen që ta kryej punën e vetë për rreth 45 minuta, pastrojini flokët me shampon.

Image

5. Speci i kuq

Speci i kuq, kur aplikohet në lëkurë të kokës, shkakton një lloj irritimi, që më pas stimulon qarkullim më të madh të gjakut në atë zonë, gjë që më pas ndikon në rritjen më të shpejtë të flokëve.

Përbërësit:

1 lugë çaji spec i kuq pluhur

120 mililitra vaj ulliri

Procesi:

Nxeheni ngadalë vajin e ullirit, në tigan të vendosur mbi temperaturë të ultë dhe shtojani specin e kuq. Përzieni vazhdimisht përzierjen për ta shmangur ngjitjen e specit të kuq. Pastaj, largojeni enën nga nxehtësia dhe lëreni përzierjen që të ftohet. Përzierjen e fituar aplikojeni në lëkurë të kokës duke e lënë të qëndrojë për tri orë, ose përgjatë gjithë natës.

Përfundimisht, pastrojini flokët me shampon të zakonshëm.

Image

6. Çaji i gjelbër

Çaji i gjelbër është i pasur me antioksidues, që stimulon rritjen e flokëve dhe parandalon rënien e tyre.

Procesi:

Fillimisht, përgatiteni çajin e gjelbër dhe aplikojeni në lëkurë të kokës. Lëreni çajin ta kryejë punën e vet, pa e penguar për një orë të plotë, para se ta pastroni me ujë të ftohtë.

Image

7. Hudhra

Hudhra, përveçqë ndihmon në rigjenerimin e flokëve ndihmon edhe në promovimin e qarkullimit të gjakut në lëkurën e kokës. Për më tepër, hudhra përdoret edhe për trajtimin e zbokthit.

Përbërësit:

2-3 thelpinj hudhër

3 lugë gjelle vaj ulliri ose vaj kokosi

Procesi:

Shtypini mirë copëzat e hudhrës dhe vlojini në vajin e kokosit ose të ullirit. Lërini të ftohen për disa minuta para se ta aplikoni vajin në rrënjë të flokëve. Përsëriteni procesin tri herë në javë, deri sa ta arrini efektin e dëshiruar.

Image

 

(Kosova Sot)