Si t’ju qëndrojë “ajlajneri” sa më gjatë në sy?

  • 11 February 2016 - 16:55
Si t’ju qëndrojë “ajlajneri” sa më gjatë në sy?

Vënia e grimit është mjeshtëri më vete, por kur flitet për aplikimin e ‘ajlajnerit’, atëherë mjeshtëria që nevojitet është edhe më e madhe

Mirë, bëmë shaka pak, sepse aplikimi i ‘ajlajnerit’, pas disa ushtrimeve, nuk është e thënë të jetë aq i komplikuar edhe pse, dorën në zemër, vendosja e “ajlajnerit” kërkon shumë kohë.

Për të gjitha ato që duan ta vendosin “ajlajnerin” si duhet, sjellim 6 mënyra që ai t’ju rrijë në sy gjatë tërë ditës.

1. Përcaktohuni për një ‘ajlajner’ rezistent në ujë

Me gjasë keni menduar edhe vetë për këtë variant. Kur flitet për pjesën rreth syve, atëherë është krejt normale që t’ju njolloset grimi. Një ‘ajlajner’ rezistent ndaj ujit paraqet një zgjidhje të përkryer, por përcaktohuni për një ‘ajlajner’ sa më kualitativ. Nuk është e thënë që ai të jetë më i shtrenjti, por nuk janë të gjithë ‘ajlajnerët’ njësoj. Shikoni cili prej tyre mund t’ju përshtatet më së shumti. Nëse gjatë vënies së këtij preparati, i cili nuk hiqet edhe aq lehtë, megjithatë njolloseni pak, atëherë një shkop i veshit dhe pak vazelinë mund t’ju ndihmojnë që ta rregulloni gabimin, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

2. Përdoreni bazën për hije kozmetike

Të gjitha ato që grimosen, e dinë se nuk mjafton ta kenë bazën për pudër të fytyrës, por edhe për hije të kapakëve të syve. Qëllimi kryesor i saj është që hija kozmetike të qëndrojë në sy për një kohë sa më të gjatë, por edhe ta neutralizojë ngjyrën më të errët të kapakëve. Po ashtu, baza do t’ju ndihmojë që as ‘ajlajneri’ të mos hiqet aq lehtë. Nëse nuk keni bazë, atëherë mos u mërzitni, meqë korrektori i lëngshëm është zëvendësim i mirë për të!

3. Ruajuni nga njollosja

Këtë e dinë sidomos ata që kanë lëkurë të yndyrshme. Sapo të fillojë të paraqitet yndyra dhe shkëlqimi në lëkurë, atëherë edhe grimi fillon që të njolloset dhe të hiqet. Zgjidhje e kësaj është pudra për fiksim (e ngurtë, apo pluhur), prandaj nuk do të ishte keq që edhe ju ta keni një të tillë, mundësisht pa ngjyrë. Përpos që do ta aplikoni në zonën T, një pudër e tillë ju nevojitet edhe që ta përdorni menjëherë pas korrektorit të lëngët nën sy dhe, nëse e aplikoni mbi kapakë të syve, atëherë ‘ajlajneri’ do t’ju qëndrojë një kohë më të gjatë.

4. Vendosni më shumë shtresa

Nëse mendoni se, me ta vendosur linjën e ‘ajlajnerit’, e keni mbaruar punën, atëherë gaboni. Nuk mjafton ta vizatoni vijën vetëm një herë. Bëjeni atë disa herë. Nëse doni një efekt edhe më intensiv, atëherë me një brushë të hollë, të pjerrët, të zhytur në një hije më të errët, shtoni ngadalë edhe më shumë ngjyrë.

5. Mos e harroni maskarën

Edhe pse maskarën e vëmë në qerpikë, nëse përcaktohemi për variantin rezistent ndaj ujit, atëherë nuk do të lejojmë që mundi të na shkojë huq. Sikur që thamë më lart, sytë shpesh na lotojnë, qoftë nga era, mërzia, apo vetvetiu, prandaj nuk është i tepërt çdo hap që ia mundëson grimit të syve që të qëndrojë sa më gjatë. Sa më i vogël që të jetë rreziku nga njollosja e grimit, aq më të mëdha do të jenë gjasat që të keni sy seksi, si të maces, e jo si të rakunit, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

6. Mos lejoni që diçka t’ju befasojë

E keni bërë një vijë të mrekullueshme dhe keni bërë gjithçka që ajo t’ju qëndrojë sa më gjatë, por ende nuk ka vend për relaks. ‘Ajlajnerët’ janë të vegjël dhe nuk zënë vend të madh në çantë, prandaj është mirë që atë ta merrni me vete. Nëse do të ketë nevojë, gjithmonë mund të bëni korrigjime. E, ligji i Murphy-t thotë se, meqë e keni marrë ndihmën e parë me vete, ajo me gjasë as që do t’ju duhet.

Tani e dini se çka ju nevojitet. Ju mbetet vetëm që ta ushtroni vënien e ‘ajlajnerit’ dhe të kënaqeni me një grim të mirë.

(Kosova Sot)