Scarlett Johansson, ‘mbretëreshë’ e arkave filmike

  • 01 July 2016 - 13:25
Scarlett Johansson, ‘mbretëreshë’ e arkave filmike

Aktorja renditet e dhjeta në listën e aktorëve më fitimprurës të të gjitha kohërave

Filmat e saj kanë mbledhur 3.3 miliardë dollarë vetëm në SHBA

Kur flitet për shifrat e parave të përfituara nga arkat filmike, Scarlett Johansson për momentin përfiton më shumë sesa Will Smith. Kjo po që është një statistikë mbresëlënëse. Kjo pasi që Smith dikur është konsideruar “mbreti i arkave filmike” duke iu falënderuar suksesit të filmave të tij, të cilët kanë grumbulluar më shumë se 2.8 miliardë dollarë vetëm në kinematë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, në një listë të publikuar së fundmi, në të cilën janë renditur yjet, filmat e të cilëve kanë grumbulluar më së shumti para nga arkat filmike, Smith gjendet në vendin e 24-të ndërsa Johansson renditet e dhjeta, me filmat e saj që kanë mbledhur 3.3 miliardë dollarë vetëm në SHBA. Kjo gjë ka bërë që Johansson të jetë femra e vetme në dhjetëshen e parë të aktorëve me filmat më të suksesshëm në arkat filmike në listën të cilës i prinë aktori veteran Harrison Ford. Vlen të theksohet që Johansson e ka arritur këtë sukses në një moshë shumë të re dhe kësisoj ka kohë ta përmirësojë pozicionin e saj në listë, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

E nis karrierën në moshë të re

Në kohën kur filmi “Independence Day” e kishte bërë Will Smith-in një superyll botëror në vitin 1996 (filmi vazhdon të jetë filmi më i suksesshëm i tij në SHBA, me 306 milionë dollarë të grumbulluar nga shitja e biletave për kinematë e SHBA-së), Johansson po mundohej ta fillonte karrierën e saj në Hollivud, duke u paraqitur në një rol të shkurtër në filmin “Home Alone 3”, pastaj, kur ishte në moshën trembëdhjetëvjeçare, kishte luajtur rolin e një vajze të traumatizuar përkrah Robert Redford-it në filmin “The Horse Whisperer”.

Ajo më pas kishte mahnitur audiencat e shumta me paraqitjet e saj në “Ghost World”, “Girl With a Pearl Earring” dhe më së shumti në filmin “Lost in Translation”, që konsiderohet të jetë edhe filmi më i madh e më i suksesshëm në të cilin është paraqitur.

E, pas fillimit të bashkëpunimit me regjisorin Woody Allen për filmin “Match Point”, Johansson kishte filluar ta shfrytëzonte edhe bukurinë e saj të jashtme për të fituar pikë si aktore, duke ua dëshmuar të gjithëve që përveç talentit të padiskutueshëm dhe zërit të ëmbël, ajo është edhe joshëse dhe këtë gjë di ta shfrytëzojë. 

(Kosova Sot)