
Biblioteka "Hivzi Sylejmani" në Prishtinë, larg digjitalizimit

Për dy vjet, Komuna e Prishtinës siguroi 100 mijë euro për pasurimin e fondit të bibliotekës së qytetit .
"Natyrisht se digjitalizimi duhet të ndodhë dhe jemi në fillimet e këtij synimi, që të formohet një sektor digjital. Mundësitë janë shumë të vogla për këtë, por me shpresa se në të ardhmen do të ndodhë kjo. Fatkeqësisht, përgjithësisht, në Kosovë jemi keq me digjitalizimin", ka thënë Munish Hyseni, drejtori i bibliotekës "Hivzi Sylejmani" ,raporton gazeta Kosova Sot
E vendosur në objekt të ri dhe mjaft modern, Biblioteka Komunale e Prishtinës, 'Hivzi Sylejmani', nuk do të ketë fare problem me hapësirat. Edhe furnizimi me fonde librare është parë si prioritet nga menaxhmenti i saj. Edhe për këtë vit kjo bibliotekë do të mund të mbledhë një fond librar në vlerë prej 50 mijë eurove. Por, digjitalizimi i fondit të saj po del të jetë një punë mjaft e vështirë, pikërisht për shkak të mungesës së fondeve. Pavarësisht faktit se tashmë edhe kjo bibliotekë ka nisur planet për digjitalizim, duke pasur parasysh fondin e madh librar, një gjë e tillë do të marrë kohë.
Çdo vit blihen libra të rinj Në një prononcim për "Kosova Sot" drejtori i Bibliotekës Komunale e Prishtinës 'Hivzi Sulejmani', Munish Hyseni, ka thënë se është në interes të bibliotekës të ketë një sektor digjital, por mundësitë janë shumë të pakta për një gjë të tillë. Ai ka thënë se biblioteka ka një program që fut të dhënat për literaturën, por vetëm si referencë. 'Natyrisht se digjitalizimi duhet të ndodhë dhe jemi në fillimet e këtij synimi, që të formohet një sektor digjital. Mundësitë janë shumë të vogla për këtë, por me shpresa se në të ardhme do të ndodhë kjo. Fatkeqësisht, përgjithësisht në Kosovës jemi keq me digjitalizimin', ka thënë Hyseni. Pavarësisht mundësive të pakta që ka kjo bibliotekë për digjitalizim të fondit të saj, drejtori Hyseni ka thënë se institucionin që ia drejton është bukur i pasur sa i përket fondit, dhe kjo tregohet në bazë të kërkesave të lexuesve. Hyseni ka thënë se si rezultat i interes imit dhe kërkesave të lexuesve menaxhmenti harton politikat lidhur me furnizimin. Sipas tij, vitin e kaluar komuna kishte ndarë 50 mije euro për blerje të fondit librar për këtë bibliotekë. "Një fond të njëjtë do të ketë edhe këtë vit", ka thënë drejtori Hyseni, sipas të cilit mbi bazën e kërkesave të tyre në pothuajse çdo vit hartohen projekte për blerjen e literaturës. 'Vitin që shkoi dhe këtë vit komuna ka ndarë 50 mijë euro. Projekti i vitit të kaluar është realizuar dhe librat janë duke u vendosur nëpër vendet e tyre. Ndërsa tashmë kemi dorëzuar projektin për këtë vit", ka thënë Hyseni, duke shtuar se krahasuar me bibliotekat e tjera në Kosovës 'Hivzi Sulejmani' është në gjendje shumë të mirë. Ai ka thënë se përveç blerjes së librave që bëhen edhe gjatë panaireve, fondi i bibliotekës rritet edhe nga donatorë të ndryshëm, të cilët herë pas herë dhurojnë librat për këtë bibliotekë.
Digjitalizimi selektiv Në anën tjetër, për ekspertë të kësaj fushe, furnizimi me libra dhe përshtatja me trendet e reja është një nevojë për bibliotekat në vend. Ndërsa, digjitalizimi, sipas tyre, duhet të jetë prioritet i institucioneve bibliotekare, por edhe shtetërore. Eksperti i bibliotekarisë, Ramadan Beshiri, në një prononcim për "Kosova Sot" ka thënë se digjitalizimi është një proces i cili duhet të ndodhë edhe në bibliotekat tona, konkretisht në 'Hivzi Sulejmani', por sipas tij, jo çdo gjë mund të digjitalizohet. 'Duhet bërë një klasifikim i fondit, një zgjedhje e tij, caktimi i kritereve se çfarë mund të digjitalizohet. Të shkohet me libra apo periodikë. Kështu që mirë do të ishte që të kishte digjitalizim të disa titujve sidomos atyre që janë më shumë të lexueshme", ka thënë Beshiri.
(Kosova Sot)